Dodiki sërish kërcënon Bosnjë-Hercegovinën, paralajmëron Republika Srpskan si shtet

Lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik, deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina është një “shtet i pamundur”, duke shtuar se nuk beson në funksionalitetin e saj dhe duke bërë thirrje për rishikim të thellë të marrëdhënieve të brendshme.

Duke folur për RTRS, Dodik tha se përfaqësuesit serbë duhet të marrin një vendim të përbashkët për të ndalur plotësisht procesin e vendimmarrjes në nivel shtetëror, duke argumentuar se institucionet e Bosnjës nuk funksionojnë. Ai fajësoi politikanët boshnjakë për, siç u shpreh, “minimin e së ardhmes së shtetit”.

“Roli im është ta përfundoj këtë përmes një procesi paqësor politik,” tha Dodik, duke shtuar se duhet të rishqyrtohen vendimet e imponuara nga përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë ndër vite.

Megjithatë, ai theksoi se Republika Srpska po shënon rritje ekonomike, duke deklaruar se produkti i brendshëm bruto ka qenë në rritje për 16 tremujorë radhazi. Sipas tij, këtë vit pritet të paguhen 5.5 miliardë marka për paga dhe 2.2 miliardë për pensione, ndërsa ekonomia arrin vlerën prej rreth 20 miliardë markash.

Dodik gjithashtu u ankua për pengesa administrative, duke përmendur vonesat në hapjen e pikave kufitare në ura tashmë të ndërtuara.

Ai njoftoi edhe një agjendë të ngjeshur ndërkombëtare në muajt në vijim. Sipas tij, më 25 prill do të udhëtojë në Chicago, ndërsa më 9 maj do të marrë pjesë në paradën ushtarake në Moska. Ai shtoi se planifikon edhe një vizitë në Shën Petersburg, si dhe udhëtime në Itali, Francë dhe Izrael gjatë verës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo