Dje u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë, por si ra Këshilli i Sigurisë i RMV-së nga 5 anëtarë shqiptarë në vetëm 2?





Nafie Selmani

Dikur përfaqësimi shqiptar në Këshillin e Sigurisë ishte me pesë anëtarë. Sot, ai është reduktuar në vetëm dy. Një rënie që nuk është vetëm numër statistikor, por tregues qartë i zbehjejes së ndikimit politik dhe institucional të shqiptarëve në një nga organet më të rëndësishme shtetërore.
Nga këta dy anëtarë, njëri është Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, I cili është aty me detyrë për shkak të rolit që mban në Kuvend, dhe i cili nga momenti kur drejton Kuvendin, nuk mbahet mend të ketë udhëhequr ndonjë seancë në gjuhën shqipe, ndonëse kjo e drejtë i garantohet si nga Rregullorja e Kuvendit ashtu edhe nga Kushtetuta.
Anëtari tjetër është Xhevdet Hajredini, i cili në paraqitjet e tij publike në rjetin e tij social, shpesh merret me sulme ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj ambasadorit Denion Meidani, madje në një rast e quajti Presidentin e Shqipërisë përçarës të kombit.
Pse Presidentja ka vendosur për këtë përbërje, mund të supozoimë. Por pse VLEN-i e lejon këtë reduktim dhe këtë situatë përfaqësimi, kjo as nuk kuptohet dhe as nuk arsyetohet. Nëse përfaqësimi nuk mbrohet me vendosmëri, ai zbehet dhe degradohet. Dhe kur degradohet përfaqësimi në siguri, zbehet edhe pesha politike.
A është kjo paaftësi, kompromis i heshtur, apo ndonjë strategji e caktuar, këtë e dinë ata, por duhet t’ua sqarojnë edhe qytetarëve të cilëve u flasin për barazi, bashkëjetesë, vlera dhe integrime evropiane, etj.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo