Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim Nazmije Millakun, e akuzuar për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Bahtiri tha se e akuzuara Millaku është fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
E akuzuara obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndërkaq, u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, pasi nuk u provua se e ka kryer këtë vepër penale. U urdhërua të bëhet konfisikimi i armës e më pas shkatërrimi i saj.
Gjykata njoftoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi ta pranojnë vendimin në formë të shkruar.
Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara Suzana Millaku, u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, prezente në shpallje ishte vetëm e dëmtuara, kurse mungoi e akuzuara me avokaten e saj, Mirvete Hashani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nazmije Millaku akuzohej se më 20 gusht 2024, në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, në Prishtinë, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie, me dashje ka privuar nga jeta kunatin e saj Xh.M., ku e pandehura ishte ndier e parespektuar dhe e braktisur nga familjarët, duke menduar se tani i ndjeri kishte ndikim.
Aktakuza thotë se e akuzuara fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale duke përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra e më pas ishte certifikuar dhe kishte blerë armë zjarri dhe municion. Aty thuhet se ajo shfrytëzon rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent në momentin që e kishte parë tani të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, del në korridor dhe në mënyrë dinake me armën e lartcektur shtie në drejtim të tij disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.