Debat për gjuhën në RMV – deputeti shqiptar pyet Mickoskin: A duhet gjuha maqedonase të jetë e detyrueshme për shqiptarët?
A është njohja e gjuhës maqedonase e detyrueshme për shqiptarët?! Këtë pyetje kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski ia parashtroi deputeti Skënder Rexhepi nga koalicioni Fronti Europian.
Tutje shtoi se mes ministrave ishte thënë se për shkak të krizës ekonomike gjoja ishte propozuar të hiqen përkthyesit në gjuhën shqipe.
“Mediat proqeveritare së bashku me ministrat qeveritarë kohët e fundit hapën një çështje nëse në këtë krizë ekonomike ka nevojë që ministrat në Qeveri të kenë përkthyes shqiptarë dhe nëse gjuha maqedonase duhet të jetë gjuhë e detyrueshme për të gjithë qytetarët. Dhe kryeministri u ka thënë edhe ministrave shqiptarë se nëse nuk flasin maqedonisht do t’i shkarkojë”, tha Skender Rexhepi-Zejd, deputet i FE-së.
Kryeministri Mickoski iu përgjigj se gjuha maqedonase sipas Kushtetutës është zyrtare në të gjithë territorin, por se gjithashtu gjuhë zyrtare është edhe shqipja. “Nëse i vendosni kufjet do të shihni se përkthehet në shqip, unë nuk kam problem me asnjë gjuhë”, u përgjigj kryeministri.
“Nuk më pengon mua, nuk e di pse keni nevojë të bërtisni. Përkundrazi, absolutisht nuk më pengon, lirisht përdoreni gjuhën shqipe, madje edhe përpiqem ta mësoj dhe ta mësoj, ja po jua them hapur. Dhe shpresoj që për disa vite edhe unë të mund të mos përdor kufjet dhe kur flisni në gjuhën shqipe kështu me zë të lartë kur mendoni se dikush do të frikësohet nga kjo, të mund ta kuptoj atë që thoni”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Rexhepi gjithashtu ngriti edhe çështjen se gjithnjë e më shumë shqiptarë po largohen nga puna, ndërsa Mickoski u përgjigj se në prill ligji për përfaqësim të drejtë, i cili e ka kaluar edhe filtrin e Komisionit të Venecias, do të gjendet para deputetëve.