DASKALLI (I)

Shkruan: Merxhan Jakupi
Termi “daskall” në gjuhën e greqishtes së vjetër ka kuptimin mësues ose arsimtar.
Në periudhën e Mbretërisë jugosllave, regjimi dërgoi në të gjitha trojet shqiptare, në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore, daskallë. Nëpër shkolla nxënësit shqiptarë mësonin në gjuhën serbokroate.
Regjimi i Mbretërisë Jugosllave kishte dërguar edhe në katundet e malësisë së Sharrit të komunës së Tetovës daskallë, që do të thotë mësues. Po ashtu, në katundin e Malësisë së Sharrit, Veshallë, ishte vendosur një paralele në një klasë me mbi 40 nxënës.
Daskalli ishte nga qyteti i Nishit.
Në ministrinë e arsimit i kishin thënë daskallit se do të shkonte në “Juzhna Banovina”. Maqedonia në periudhën e Mbretërisë jugosllave konsiderohej si “Juzhna Banovina” ose “Vardarska Banovina”.
Daskalli, kur pa kontratën e punës se do të shkonte në një pjesë të panjohur, ai hezitonte të shkonte. Daskalli e dinte se të gjithë mësuesit që i dërgonin nëpër provinca ku kishte rebelime, ishte sikur t’i dërgonin në internim.
Nëpunësi i zyrës, kur pa se daskalli bojkotonte për të shkuar, i tha: “Duhet të shkoni. Mos keni frikë. Është një provincë e qetë. Shumica e popullatës janë arnautë, me minoritet bullgar dhe turq. Ju keni qenë në Sanxhak si mësues, jeni të integruar. Edhe arnautët kanë të njëjtat tradita, por vetëm gjuha dallon”.
Përpara se të nisej daskalli, te treni, kishin dalë ta përcillnin nëna dhe e dashura e tij. Një mik e pyeti daskallin se në cilin vend do të shkonte. Daskalli, me buzëqeshje, i tha mikut: “Atje ku treni i fundit ndalet dhe mbaron”.
Rruga Nish–Shkup iu duk shumë e gjatë dhe e mërzitshme daskallit. Nga xhamat e trenit vërente femra me ferexhe, burra të veshur me guna, tirqi, opinga, bata dhe me plisa të bardhë, si në Sanxhak të Novi Pazarit.
Një mik i kishte thënë daskallit: “Mos prano të shkosh në provincat me arnautë dhe turq. Arnautët janë shumë të egër dhe primitivë. Po të kthesh kokën dhe të flasësh me ndonjë femër, ose të ta ngacmosh, të shkon koka.”
Para hyrjes në qytet ishte një tabelë e shkruar me shkronja cirilike: “Tetovo”. Daskalli ishte i lodhur nga rruga që kishte bërë. Ishte mesi i ditës dhe sheshi ishte përplot me njerëz. Qytet oriental. Shumica e grave të veshura me ferexhe. Daskalli pa disa kalimtarë me vejdhje orientale.
Në të djathtë ishin të ulur disa djem me kapela në kokë, ndërsa njëri kishte të varur në qafë një kryq. Iu afrua duke i përshëndetur në gjuhën serbokroate. Daskalli pyeti se ku është komuna, ata ia treguan drejtimin.
Duke ecur përballë pa kullën e sahatit dhe orën e madhe me akrepat. Ishte ora 12. Pa minaret e larta të xhamisë, në oborrin e xhamisë, një shatërvan ku disa pleq lanin gjymturët e trupit dhe fytyrën. I kishte parë edhe në Novi Pazar. “Është larje për ritual”, tha me vete. Daskallit në vesh i depërtonin shushurima e zërave të një gjuhe të panjohur nga kalimtarët.
Një i ri me flokë të gjata e kaçurrela, në veshje ngjante si komit bullgar. Ky i riu ia tregoi godinën. Para hyrjes pa dy flamuj, flamurin jugosllav dhe flamurin serb. Daskalli tash ndihej i qetë, ankthi dhe frika i kishin kaluar.
Daskalli mori frymë thellë. Në hyrje të korridorit i tregoi një burrë me veshje orientale derën e zyrës. Pasi trokiti, hyri në zyrë. Ishte një burrë shtatshkurtër, tullac dhe me mjekër të zezë. Pasi ia zgjati dorën, zyrtari i tha të ulej. Në atë moment, një burrë me veshje orientale dhe një kësulë të kuqe në kokë solli dy filxhanë me kafe.
Daskalli nxori nga çanta kontratën e punës dhe disa fletushka. Zyrtari i tha daskallit: “Do të shkoni të punoni në një provincë rurale, në një katund malor”.
“Ti ndoshta ke lexuar për arnautët. Në periudhën osmane u islamizuan, sikur një pjesë e mercenarëve e tradhtarëve tanë dhe për shkaqe pragmatike dhe materiale u konvertuan në fenë e armiqve tanë, në islam. Ka serbë që tash e kanë ndryshuar identitetin, kinse janë boshnjakë. Këta tradhtuan fenë, kombin dhe atdheun. Këta serbë të turqizuar, së bashku me arnautët, janë më të rrezikshëm se turqit”, tha zyrtari.
Pasi thithi thellë tymin e cigares, zyrtari vazhdoi: “Arnautët erdhën nga Shqipëria dhe, me ndihmën e hordhive mongole, e kam fjalën për turqit, pushtuan territoret tona, por ne i rikthyem tash në këto territore të shenjta serbe”.
Daskalli hapi gojën për të thënë diçka, por zyrtari e ndërpreu: “Ju keni qenë edhe në Bosnje, por ndryshe nga boshnjakët, ose thënë ndryshe nga serbët e islamizuar, arnautët kanë gjuhë tjetër. Arnautët janë të islamizuar dhe ne shpesh u thonim turq, pasi nuk kanë dallim nga turqit, nga serbët tanë të islamizuar dhe të turqizuar,” tha zyrtari, paksa i skuqur në fytyrë dhe me emocione.
Daskalli i tha zyrtarit: “Kam dëgjuar se arnautët në Kosovë dhe këtu janë shumë të egër dhe primitivë”. Zyrtari ia bëri me kokë se janë të egër dhe primitivë, ndërkohë i tha se “por mos harrojmë se edhe arnautët e krishterë, katolikë, kanë të njëjtin kod dhe tradita. Tek arnautët është kodi i moralit, mikpritja dhe besa. Këto kode janë afërsisht të ngjashme me malazezët”.
Për shembull, i tha zyrtari: “në një katund të rrafshit një djalë e ka grabitur një vajzë. Deri tash, hakmarrjet dhe vrasjet kanë shkuar nga dy familje mbi 50 të vrarë. Një burrë në një katund është zënë në lidhje, pasi është vrarë burri, në fund katundi të gjithë familjen e kanë dëbuar nga fshati”.
Daskalli tashmë ishte zbehur, e kishte kapluar ankthi dhe euforia. Zyrtari e informoi për jetën, traditat dhe kodin e egër të arnautëve dhe të malësorëve. “Ne serbët kemi tradita dhe kode që nuk përputhen me kodet e arnautëve. Si shembull, tek ne femrat janë më liberale”, tha ai.
“Sigurisht se ju keni pasur një dashnore ose dy. Nëse martoheni dhe pastaj në fund divorcoheni, nuk ndërhyjnë prindërit dhe familja. Ne serbët jemi shoqëri më liberale dhe e kulturuar. Për shembull, shpesh, kur çiftet tradhtojnë, ata mund të ndahen ose të vazhdojnë të jetojnë bashkë. Ne, siç dihet, shpesh shahemi dhe këto sharje kanë mbetur si rutinë. Ne shajmë Zotin, Diellin, bukën, kishën e të tjera. Tek shqiptarët sharja më fyese është kur i shahet gruaja. Ka pasur raste deri në vrasje. Për shembull, nëse i fejuari ndahet nga e fejuara dhe martohet me një vajzë tjetër, familja e vajzës së fejuar ose të martuar kërkon arsyen dhe shkakun e ndarjes. Shpesh ka pasur raste deri në vrasje”, i tha zyrtari.
Në fund, zyrtari kishte vërejtur se daskalli ishte zbehur në fytyrë dhe i frustruar që ishte nisur në këto stepa të panjohura. Zyrtari i tha se është i sigurt, pasi në atë katund është një stacion i xhandarmërisë dhe një xhandar serb. Në fund, zyrtari, para se të nisej, e këshilloi daskallin: “Kini kujdes me femrat. Mos të keni kontakte ose ngacmime. Dhe mos të përdorni sharje, sidomos sharje ndaj Zotit, Diellit ose ndaj grave”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo