Çfarë po ndodh me Britney Spears? Familjarët të shqetësuar për gjendjen e këngëtares: Po kalon një situatë jetë a vdekje
Familjarët e këngëtares së njohur Britney Spears janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e saj dhe frikësohen se situata mund të jetë “jetë a vdekje”, sipas raportimeve të mediave të huaja.
Sipas burimeve pranë familjes, shqetësimi është shtuar pas incidentit të fundit në Kaliforni, ku 44-vjeçarja u arrestua nën dyshimin për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Sjellja e saj kohët e fundit thuhet se ka alarmuar njerëzit më të afërt.
Mediat thonë se edhe djemtë e saj, Sean Preston Federline, 20 vjeç, dhe Jayden James Federline, 19 vjeç, janë të shqetësuar, por familjarët hezitojnë të ndërhyjnë për shkak të reagimeve të forta që morën gjatë lëvizjes “Free Britney Movement” disa vite më parë.
Një burim i afërt me familjen ka deklaruar për mediat se ata e duan dhe e mbështesin këngëtaren, por ndërhyrja e tyre tani mund të krijonte edhe më shumë probleme, pasi familja është kritikuar vazhdimisht për rolin që pati gjatë periudhës së kujdestarisë ligjore.
Kjo kujdestari, e cila zgjati rreth 13 vjet dhe i dha kontrollin e vendimeve personale, profesionale dhe financiare babait të saj Jamie Spears dhe një avokati, përfundoi në nëntor të vitit 2021 pas vendimit të gjykatës dhe presionit publik të mbështetësve të këngëtares.