Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë natës, me sulme të ndërsjella që kanë përfshirë disa vende të rajonit. Centrali i vetëm i energjisë atomike në Iran është goditur nga një predhë e paidentifikuar, ka thënë operatori rus i centralit. Kjo është hera e parë që centrali bërthamor i Bushehrit goditet që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore bëri thirrje për përmbajtje maksimale me qëllim të parandalimit të rrezikut për një aksident bërthamor. Bushehri është centrali i vetëm bërthamor i Iranit. I vendosur në bregdetin verior të Gjirit Persik, ai furnizohet me uranium të prodhuar në Rusi, jo në Iran.
Ndërkohë Irani ka vazhduar të lëshojë raketa dhe dronë nëpër Lindje të Mesme. Garda Revolucionare iraniane deklaroi se sulmet ishin përgjigje ndaj vrasjes së Larixhanit, i cili u vra së bashku me djalin e tij, kreun e zyrës, si dhe disa roje. Larixhani konsiderohej një nga figurat më të fuqishme në vend që kur udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Kamenei u vra në ditën e parë të luftës. Nga ana tjetër, forcat amerikane kanë goditur pozicionet iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur bomba me peshë 2.5 tonë, që depërtojnë në bunkerë.
Presidenti amerikan Donald Tramp shprehu zemërim me refuzimin e NATO-s për t’u bashkuar me përpjekjen e tij për të dërguar anije luftarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.
“Epo, jam i zhgënjyer nga NATO që ne shpenzojmë trilionë dollarë për NATO-n,” u shpreh Donald Tramp, President I SHBA-së.
NATO ka thënë se nuk ka plane të përfshihet në luftën e udhëhequr nga SHBA-të me Iranin.