Burri që qëlloi ndaj gruas dhe fëmijëve do të përgjigjet për tentativë vrasjeje: Prokuroria zbulon detaje
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore kundër një 55-vjeçari, i dyshuar për veprën penale – Vrasje, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 lidhur me nenin 19 (në tentativë), dhe kundër tij është zhvilluar edhe procedurë për Kërcënim të sigurisë, sipas nenit 144, paragrafi 3, lidhur me paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal.
Më 1 mars, në shtëpinë e familjes, në praninë e një personi tjetër, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, ai me qëllim u përpoq t’i privonte nga jeta bashkëshorten e tij. Ai nxori një pistoletë që e kishte me leje, e karikoi dhe qëlloi një plumb, i cili kaloi pranë viktimës, u përplas në dyshemenë prej parketi dhe përfundoi në një dritare.
Më pas ai zbriti në katin e poshtëm dhe të dy vajzave u tha se kishte qëlluar në nënën e tyre. Ata së bashku u larguan nga shtëpia drejt viktimës.
Më 5 mars, i dyshuari përsëri, përpara dy fëmijëve, kërcënoi bashkëshorten me pistoletë, me qëllim t’i shqetësonte dhe frikësonte.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe procesin, si dhe rrezikut që të përfundonte vrasjen që kishte tentuar të kryente.