Në vend që shkollat të jenë vende mēsimi, qetësie dhe zhvillimi për nxënësit, ato po kthehen gjithnjë e më shpesh në skena paniku për shkak të alarmimeve për bomba. Çdo email i rremë që mbërrin në adresat e institucioneve mjafton për të ndërprerë mësimin, për të zbrazur klasat dhe për të krijuar frikë tek nxënësit, profesorët dhe prindërit. Dhe ndërsa shkollat evakuohen me shpejtësi, një pyetje mbetet pezull në ajër: ku është shteti?
Në epokën e teknologjisë dhe të inteligjencës digjitale, duket ironike që pushteti ende sillet sikur është përballë një misteri të pazgjidhshëm. Email-e të rreme dërgohen vazhdimisht, procesi mësimor ndërpritet, ndërsa institucionet japin deklarata qetësuese, por pa rezultate konkrete. Nxënësit humbin orë të tëra mësimi, profesorët detyrohen të ndërpresin punën e tyre, ndërsa përgjegjësit për këto alarmime vazhdojnë të fshihen pas një tastiere.
Ironia më e madhe është se shteti që pretendon të kontrollojë çdo gjë, duket i pafuqishëm përballë disa email-eve anonimë. Në vend që të dëgjojmë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, dëgjojmë vetëm për kontrolle rutinë dhe hetime të pafundme. Ndërkohë, dëmi vazhdon: mësimi humbet, nervozizmi rritet dhe besimi i qytetarëve tek institucionet dobësohet.
Shkolla nuk duhet të jetë vend ku fëmijët mësojnë të kenë frikë nga alarmet e rreme. Ajo duhet të jetë vend ku ndërtohet e ardhmja. Por për ta bërë këtë, pushteti duhet të tregojë se është më i fortë se një email anonim. Sepse nëse shteti nuk arrin të mbrojë qetësinë e shkollave, atëherë lind pyetja e thjeshtë, por e dhimbshme: kush po e kontrollon në të vërtetë situatën – shteti apo një adresë e rreme elektronike?
Pedagog : Naim Kurtishi-Tetovë