Berisha thirrje qytetarëve pak para protestës: Ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri, dilni të gjithë në shesh
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh, për protestën e cila pritet të nisë në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Teksa uroi besimtarët për festën e Sulltan Novruzit, Berisha u shpreh se sot është “ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri”.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare! Sot 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit. Me këtë rast uroj nga zemra të gjithë bektashinjtë shqiptarë në këtë ditë. Shpreh mirënjohjen dhe nderimin tim më të madh për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.
Por sot, 22 Marsi është edhe një ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri, është dita në të cilën 34 vite më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura komuniste me votën e tyre të lirë.
Sot pas 34 vitesh Shqipëria ndryshon si nata me ditën, krahasuar me Shqipërinë e 34 viteve më parë, por përsëri sot ne nderojmë 22 Marsin e vitit 1992, në kushtet e një diktature autoritare, apo autokraci elektorale.
Në kushtet të dhunimit, të shndërrimit të votës, të zgjedhjeve në farsë zgjedhore, në kushtet e një bashkëpunimi të ngushtë të pushtetit në të gjitha nivelet me kartelet e drogës dhe së fundi në kushtet e paketave ligjore dhe përdorimit të mandateve të krimit, për të bllokuar luftën kundër korrupsionit, për të mbrojtur korrupsionin, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale.
Ndaj dhe mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34 vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.
Për ti dëshmuar Edi Ramës dhe botës se, ne nuk pajtohemi kurrë me farsat zgjedhore.
Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit.
Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, përsëri në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët, të ardhmes evropiane të tyre.”-u shpreh Berisha.