“Ballistët” shpërthejnë kundër FFM-së: Po dëmtoni Shkëndijën dhe po favorizoni Vardarin – Stadiumin e Tetovës do ta kthejmë në ferr





Tifogrupi i njohur “Ballistët Tetovë” ka lëshuar një komunikatë të ashpër drejtuar Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke akuzuar këtë të fundit për tendenca të qarta kundër klubeve shqiptare dhe në veçanti kundër KF Shkëndijës.

​Përmes një reagimi zyrtar, tifozët kuqezi shprehen se referimi në Ligën e Parë po përdoret si mjet për të dëmtuar Shkëndijën dhe për të ndihmuar rivalët e tyre, duke e cilësuar klubin e Vardarit si “klub partiak” që po favorizohet për titullin kampion.

​Një pikë tjetër e nxehtë e reagimit është caktimi i orareve të ndeshjeve gjatë ditëve të javës, gjë që sipas Ballistëve po zbraz tribunat në mbarë vendin.
​”Nëse ndeshjet nuk kthehen në fundjavë, ju sigurojmë se nuk do të mbetet asnjë tifoz në tribuna. Përgjegjës për prishjen e futbollit jeni JU, FFM,” – thuhet në komunikatë.

​Përveç kritikave ndaj institucioneve, Ballistët u kanë bërë thirrje të gjithë adhuruesve të Shkëndijës që të braktisin ekranet dhe transmetimet “livestream” për t’u rikthyer fizikisht në shkallët e stadiumit.

​Tifogrupi paralajmëron një riorganizim të madh të të gjitha gjeneratave që nga java e ardhshme, me qëllim që stadiumi i Tetovës të shndërrohet në një ambient “ferri” për çdo skuadër kundërshtare deri në fund të kampionatit.

​”Tash është koha kur ne i duhemi më së shumti Shkëndijës. Të shpërthejmë në tribuna ashtu siç na ka hije,” përfundon njoftimi i zjarrtë i tifozëve tetovarë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo