Ministrja australiane e Transportit, Catherine King, tha të hënën se vendi i saj nuk do të dërgojë forca detare në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Sipas raportimit nga ABC Radio National, duke iu përgjigjur pyetjes nëse SHBA-ja ka kërkuar apo jo mbështetje detare nga Australia, King tha se nuk është në dijeni të ndonjë kërkese të tillë.
“Është diçka për të cilën ne nuk po kontribuojmë. Nuk jam në dijeni nëse ka një kërkesë. Ne jemi të përgatitur mirë këtu në këtë vend për të përballuar krizën ekonomike që po ndodh si pasojë e Lindjes së Mesme, por nuk planifikojmë të dërgojmë një anije,” tha ajo.
Komentet e saj erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje aleatëve të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe globale e transportit detar përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore, duke e bërë atë kritike për tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të shqetësimeve të tregut të energjisë që kur Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit njoftoi mbylljen e saj për shumicën e anijeve për shkak të sulmeve SHBA-Izrael kundër vendit që filluan më 28 shkurt.
Para luftës, rreth 20 milionë fuçi naftë kalonin nëpër ngushticë çdo ditë.
Sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit deri më tani kanë vrarë rreth 1.300 njerëz, përfshirë Udhëheqësin Suprem të atëhershëm, Ajatollah Ali Khamenei.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.