ASH-Sela: Devijimi i Korridorit 8 u bë me urdhër të Vuçiçit, e konfirmon vetë ministri i Sërbisë





Shkup, 31 mars – Aleanca për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit rreth projektit të Korridorit 8, duke akuzuar se bllokimi dhe devijimi i këtij aksi strategjik është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe është zbatuar nga Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski. Në reagimin e publikuar, kjo parti thekson se pretendimet e saj mbështeten në një deklaratë zyrtare të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesić, e transmetuar nga agjencia bullgare e lajmeve BGNES në tetor të vitit 2024.

Sipas kësaj deklarate, Vesiç e ka cilësuar si “fitore të Serbisë ndaj Perëndimit” devijimin e Korridorit 8 dhe ridestinimin e investimeve drejt Korridorit 10, i cili lidh Beogradin me Athinën dhe, siç thuhet, e vendos Serbinë në qendër të zhvillimeve rajonale. Aleanca për Shqiptarët pretendon gjithashtu se, sipas raportimit të BGNES, ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, ka tentuar që fondet ndërkombëtare të destinuara për Korridorin 8 të ridestinohen në funksion të Korridorit 10.

Në reagim theksohet se vendimet për ndërprerjen e punimeve në segmentin Trebenishtë–Strugë rrezikojnë të përjashtojnë Strugën nga Korridori 8, duke e lënë këtë zonë të izoluar. Sipas të njëjtit qëndrim, ekziston rreziku që në fazat e ardhshme të preken edhe rajoni i Pollogut dhe ai i Kërçovës. Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se prioriteti i mundshëm për ndërtimin e një aksi Manastir–Ohër do të rezultonte në devijimin përfundimtar të Korridorit 8 dhe lidhjen e tij me Korridorin 10, duke zhvendosur fokusin strategjik të vendit dhe duke forcuar rolin e Serbisë në rajon. Në fund të reagimit, subjekti politik u bën thirrje partive të koalicionit VLEN që të mos heshtin dhe të mos relativizojnë, siç thuhet, “planet e Vuçiçit kundër shqiptarëve”, por të distancohen nga Qeveria aktuale ose të ndërmarrin hapa konkretë për bllokimin e projekteve të kontestuara. Aleanca për Shqiptarët e cilëson çështjen si një “kauzë kombëtare” që kërkon unifikim të faktorit politik shqiptar dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

ASH-Sela: Devijimi i Korridorit 8 u bë me urdhër të Vuçiçit, e konfirmon vetë ministri i Sërbisë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo