Arbër Isaku dhe Sejfulla Osmani në garë për anëtar të Këshillit Gjyqësor

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve përcaktoi dy kandidatë që vazhdojnë në procedurën për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor që zgjidhet nga Kuvendi.

Anëtarët e Komisionit, të cilin e kryesoi deputetja Dafina Stojanoska, zëvendëskryetare e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, e pranuan propozimin e deputetit Bekim Qoku që kandidatët Arbër Isaku, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës nga Tetova, dhe Sejfulla Osmani, doktor i shkencave juridike me provim të dhënë të jurisprudencës nga Gradeci, Komuna e Vrapçishtit, të jenë propozim i Komisionit për Kuvendin. Kuvendi, në një seancë plenare, do të vendosë për një anëtar të Këshillit Gjyqësor që zgjidhet nga Kuvendi.

Në prag të seancës së komisionit, zëvendëskryetarja Dafina Stojanoska rikujtoi se më 26 janar u mbajt një dëgjim publik për prezantimin e kandidatëve që i plotësojnë kushtet për anëtar të Këshillit Gjyqësor që zgjidhet nga Kuvendi.

“Përveç kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, në dëgjimin publik morën pjesë dhe parashtruan pyetje për kandidatët edhe përfaqësues të Shoqatës së Gjyqtarëve, Odës së Avokatëve, organizata civile që veprojnë në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, përfaqësues të mediave dhe të komunitetit akademik. Me secilin nga kandidatët u zhvillua një debat i strukturuar dhe u mbajt parasysh një qasje e barabartë dhe e drejtë ndaj të gjithë kandidatëve”, theksoi Stojanoska.

Arbër Isaku gjatë karrierës së tij ka punuar në sektorin privat, por edhe në institucione shtetërore, përkatësisht në Qeveri, në Kuvend dhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku ka ushtruar funksionin e shefit të kabinetit. Ndërkaq profesori Sejfulla Osmani në karrierën e tij ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar, por edhe si avokat dhe profesor universitar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo