Aliu: Me Qytetin e Shkupit nënshkruam marrëveshje për qira për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në kompleksin e klinikave – modernizim i sistemit të parkimit dhe rritje e kapaciteteve

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në press-konferencën e mbajtur sot informuan se është nënshkruar një marrëveshje qiraje me Qytetin e Shkupit, e cila mundëson ndërtimin e garazheve shumëkatëshe brenda kompleksit të klinikave.

“Me këtë marrëveshje krijohen kushtet për zgjidhjen sistematike të problemit shumëvjeçar të parkimit në kompleksin e Qendrës Klinike, si një nga prioritetet kryesore për përmirësimin e qasjes së pacientëve dhe kushteve të punës për punonjësit shëndetësorë. Marrëveshja është lidhur për një periudhë prej 15 vitesh dhe parasheh një qira në vlerë prej 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të realizuar. Me zbatimin e saj pritet modernizimi i sistemit të parkimit dhe rritja e kapaciteteve të parkimit për rreth 50 për qind”, theksoi ministri Aliu.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se në fazën fillestare të zgjidhjes së problemit të hapësirës për parkim do të ndërtohen dy garazhe shumëkatëshe, me ç’rast do të sigurohen të paktën 500 vende të reja parkimi.

“Ky është një projekt kapital jo vetëm për qytetin e Shkupit, por edhe për gjithë Maqedoninë, pasi këtu vijnë pacientë nga i gjithë shteti”, theksoi kryetari Gjorgjievski.

Sipas marrëveshjes, Qyteti i Shkupit ka detyrim që brenda 60 ditëve të dorëzojë një plan veprimi me afate konkrete për realizimin e aktiviteteve që lidhen me organizimin, menaxhimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkimeve në kompleks.

Në kuadër të projektit parashihet edhe digjitalizimi dhe monitorimi i plotë i sistemit të parkimit. Do të vendosen tabela informative dhe një sistem digjital për orientimin e qytetarëve, si dhe i ashtuquajturi “sistem parkimi inteligjent”, me sensorë për detektimin e vendeve të lira të parkimit, kamera me regjistrim automatik të automjeteve dhe një aplikacion mobil për informim, rezervime dhe pagesa në kohë reale.

Projekti përfshin gjithashtu rregullimin urban dhe hortikulturor të hapësirës, me gjelbërim të ri, shtigje për këmbësorë dhe ndriçim modern LED. Me këtë zgjidhje pritet përmirësim i ndjeshëm i regjimit të trafikut dhe i kushteve për qasje në shërbimet shëndetësore brenda kompleksit të Qendrës Klinike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo