16 vite e gjysmë burg për të akuzuarin që sulmoi seksualisht të miturin





Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 16 vjet e gjashtë muaj burgim Blerim Sinanin, i shpallur fajtor për sulm seksual ndaj të miturve.

Vendimi u bë i ditur nga gjyqtari Shabi Idirizi, i cili njoftoi se i akuzuari është gjetur fajtor për dy vepra penale, përkatësisht për dy dispozita të aktakuzës që lidhen me veprën penale të sulmit seksual. Për secilën vepër, veçmas, Sinani është dënuar me nga 10 vjet burgim, ndërsa në bashkim dënimesh gjykata i ka shqiptuar dënimin unik prej 16 vjetësh e gjashtë muajsh.

Gjykata nuk ka konstatuar asnjë rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarit. Si rrethana rënduese janë marrë parasysh recidivizmi për vepra të njëjta dhe për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës së 7 majit 2025, të ngritur nga Prokuroria e Ferizajt, Blerim Sinani akuzohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 kishte sulmuar seksualisht një të mitur 13-vjeçar. Në përshkrimin e rastit thuhet se ai kishte shkuar pranë shkollës ku vijonte mësimin i mituri, i kishte dhënë 1-2 euro dhe më pas i kishte thënë: “Hajde me mu shpejt”.

Aktgjykimi mund të ankimohet brenda afatit ligjor./kallxo

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo