12 vite ndërtim, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës ende pa afat përfundimi

Punimet për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të zvarriten përsëri dhe nuk pritet të përfundojnë këtë vit. Ndonëse ky objekt ndërtohet për rreth 12 vite, ende nuk ka datë konkrete se kur përfundimisht do t’i hapë dyert për publikun. Për këtë vit, Ministria e Kulturës ka ndarë 57 milionë denarë (rreth 920 mijë euro), shkruan Portalb.mk.

Ndonëse në fund të vitit 2024 u paralajmërua se deri në fund të vitit 2025 pritej të përfundojnë punimet për objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, punimet do të zgjasin më shumë, ndërsa nuk ka afat konkret se kur pritet të përfundojnë.

Nga Ministria e Kulturës nuk tregojnë ndonjë afat konkret se kur përfundimisht ky objekt do të lëshohet në përdorim.

“Për vitin 2026, i cili është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, për këtë objekt janë siguruar 57.280.000,00 denarë. Në varësi të dinamikës së realizimit të këtyre mjeteve, gjatë vitit Ministria e Kulturës dhe Turizmit për këtë qëllim mund të sigurojë mjete shtesë financiare përmes rishpërndarjes ose në kushte të ribalancimit të buxhetit për këtë vit”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Nga aty thonë se punimet në objekt janë në vijim dhe po realizohen në përputhje me mjetet financiare të siguruara, ndërsa arsyetohen se në vitet e kaluara nuk janë siguruar mjete financiare sipas dinamikës së paraparë, ndërtimi i objektit është zvarritur.

Drejtoresha e Qendrës për Kulturë në Tetovë, Njomza Imeri Ismaili theksoi se për dallim nga viti i kaluar, tani buxheti ësht më i mirë.

“Por, prapë nuk i plotëson kushtet për dinamikën që duhet të jetë, pra këtë vit është 57 milionë denarë, me shpresë se me ribalanc do na japin edhe më shumë. Jemi duke punuar në këtë aspekt bashkë me funksionarët tjerë të cilët mund t’i ndihmojnë këtij procesi”, tha Imeri Ismaili.

Derisa zvarriten punimet, në Gjykatën e Tetovës po zhvillohet një proces gjyqësor për dyshime për keqpërdorime në mbi 13 milionë euro gjatë ndërtimit të këtij objekti.

Kujtojmë që në nëntor 2024 Ministria e Kulturës paralajmëroi se objekti i Teatrit të Tetovës do të përfundojë deri në fund të vitit 2025, më herët nga viti 2027 që kishte paralajmëruar ish ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska. Megjithatë, në prill 2024, ministri i Kulturës, Zoran Lutkov vlerësoi se punimet për përfundimin e objektit të Teatrit të Tetovës nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të vitit 2025.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërkaq në 2023 Biblioteka u zhvendos në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës.

Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 12 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë sepse vazhdimisht afatet kanë ndryshuar dhe punimet janë zvarritur.

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bibliotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska–Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Gur-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo