“12 ditë luftë mbi Kalanë e Tetovës”, fillimi i rezistencës së UÇK-së

Në malësinë e Sharrit dhe mbi Kalanë historike të Tetovës nisi një kapitull i ri i rezistencës shqiptare. Një kompani e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e udhëhequr nga komandanti Ilaz Ceka – Qorri, u organizua në tre togje luftëtarësh që morën pozicione strategjike rreth Kalasë së Tetovës.

Në kuadër të kësaj kompanie, koordinatori i operativës ishte Ish Komandant Mala, pjesë e Kompanisë së Parë të Brigadës 112 Mujdin Aliu.

Togu i parë, me 14 luftëtarë dhe nën drejtimin e Izair Samiu – Baci, u vendos brenda Kalasë. Një grup tjetër, i udhëhequr nga Daut Rexhepi – Leka, mori pozicion në krahun e majtë të saj, në vendin e quajtur Stermoll. Ndërsa grupi i tretë, nën drejtimin e Hasim Bajrami – Puçi, u pozicionua në fshatin Gajre, duke mbrojtur krahun e djathtë të Kalasë.

Po atë ditë, në fshatin Sellcë u vendos edhe njësiti i parë i logjistikës së UÇK-së, i cili pati rol të rëndësishëm në mbështetjen e luftëtarëve në vijën e frontit.

Në paraditen e 14 marsit, rreth 30 luftëtarë shqiptarë krisën pushkën e parë të kësaj lufte. Jehona e saj u dëgjua jo vetëm në Tetovë, por në gjithë Maqedoninë. Në të njëjtën kohë, në sheshin e Tetovës zhvillohej edhe një protestë masive e shqiptarëve.

Përplasja e parë me forcat ushtarake dhe policore maqedonase zgjati rreth gjysmë ore. Sipas dëshmive të luftëtarëve, në fushën e betejës mbetën të dëmtuara dhe të djegura rreth 15 automjete ushtarake dhe policore. Pas kësaj, forcat shtetërore nisën granatime nga distanca drejt pozicioneve të UÇK-së në Kala.

“12 ditë luftë mbi Kalanë e Tetovës”, fillimi i rezistencës së UÇK-së

Luftimet e ashpra vazhduan deri në orët e vona të natës. Qëndresa e luftëtarëve bëri që shumë të rinj shqiptarë t’i bashkoheshin radhëve të UÇK-së, duke u rreshtuar në luftë për liri dhe dinjitet.

Në agimin e 15 marsit, përplasjet u intensifikuan edhe më shumë, pasi në Tetovë u dërguan qindra ushtarë dhe policë nga pjesë të ndryshme të vendit. I gjithë arsenali ushtarak u përqendrua me synimin për të marrë kontrollin e Kalasë.

Megjithatë, luftëtarët shqiptarë vendosën të mos tërhiqeshin dhe të vazhdonin rezistencën.

Në këto luftime, më 15 mars 2001 ra dëshmori i parë i kësaj beteje, Servet Ferati nga fshati Llacë. Ai mbeti simbol i sakrificës dhe qëndresës për mbrojtjen e Kalasë së Tetovës. Bashkëluftëtarët e tij e varrosën me nderime ushtarake.

Me respekt dhe nderim për të gjithë luftëtarët e asaj lufte, për invalidët dhe në mënyrë të veçantë për familjet e dëshmorëve që sakrifikuan më të shtrenjtën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Lavdi dëshmorëve të kombit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo