Zejdi: Kryeministri ”haxhipishman”, ka qasje antikushtetuese dhe antishqiptare

Deputeti Skender Rexhepi ka reaguar ashpër ndaj ndryshimit të qëndrimit të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si dëshmi të mungesës së seriozitetit institucional dhe të vullnetit për zbatimin e normave kushtetuese.

Sipas Rexhepit, brenda 48 orëve kryeministri kaloi nga deklarata se “nuk ka problem për shqipen në provimin e jurisprudencës” në qëndrimin se nevojitet ligj i ri, madje edhe procedurë ndërkombëtare me Komisionin e Venecias.

Ai thekson se Kushtetuta është e qartë: Amandamenti V garanton shqipen si gjuhë zyrtare, ndërsa neni 8 paragrafi 2 përcakton se çdo gjë që nuk është e ndaluar me ligj është e lejuar.

“Ligji për provimin e jurisprudencës, i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 190/2019, flet për kontroll të aftësive profesionale dhe jo për testim gjuhësor. Askund nuk ekziston ndalim për përdorimin e gjuhës shqipe. Kur një e drejtë kushtetuese sot shpallet e pamundur e nesër dërgohet për verifikim jashtë vendit, problemi nuk është juridik, por mungesë vullneti për ta zbatuar normën”, vlerëson Rexhepi.

Ai gjithashtu rikujton se Komisioni i Venecias është organ këshillimor i Këshillit të Evropës dhe opinionet e tij kanë karakter rekomandues, jo detyrues.

Sipas tij, një e drejtë kushtetuese nuk ka nevojë për “miratim nga Venecia” për t’u zbatuar në praktikë. Në reagimin e tij, Rexhepi kritikon edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë në qeveri, duke thënë se pritet që ata vetëm të përsërisin qëndrimet e kryeministrit, gjë që, sipas tij, dëshmon mungesë uniteti politik dhe paaftësi për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të shqiptarëve.