
Sot, katërshja e UÇK-së ka mundësinë t’i thotë fjalët përfundimtare në këtë proces.
Dixon: Veseli s’mund të shpallet fajtor vetëm me thashetheme
Avokati i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, Rodney Dixon po i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Ai tha se Kadri Veseli nuk mund të shpallet fajtor në bazë të provave që nuk janë testuar dhe thashethemeve, transmeton Klankosova.tv.
“ZPS-ja kur foli të hënën foli shumë pak për zotëri Veselin, deri në momentin kur nga fundi, zotëri Howling iu rikthye trillimit të ZPS-së, të ligjeve dhe fakteve për një përpjekje të fundit për të përfshirë zotëri Veselin. Sipas nesh, deri në këto momente nuk u tha asgjë,madje edhe kur thanë, thanë fjalë boshe. Asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së, sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që ngritëm ne sa i takon argumenteve të tyre ndaj zotëri Veselit. Por sidoqoftë, ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të ZPS-së. Është akuzë e rëndë kjo. Sepse ajo që bëmë ne javën e kaluar, ishte trajtimi i të gjitha akuzave, një nga një, të paraqitura nga ZPS”, u shpreh Dixon.
“Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme”, u shpreh ai.
10:57 – Avokati i Thaçit kërkon sërish shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq në përfundim të fjalës së vetë, ka kërkuar sërish shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat, raporton Klankosova.tv.
“Nuk kemi asnjë provë”, u shpreh mbrojtja.
Mishetiq thekso se standardi që kanë Dhomat e Specializuara e që pasqyron standardet e Tribunalit, është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në aktakuzë.
“ZPS për këto nuk iu ka treguar asnjë provë në përfundim. Ju lutem shpallni pafajësinë për të gjitha akuzat”, tha Mishetiq pasi e tha fjalën e fundit./Klankosova.tv
10:52 – Mbrojtja: ZPS s’ka prova që LDK bojkotoi qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimeve të Thaçit
Luka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dështuar të mbledh prova reale se LDK ka bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç pretendohet, si pasojë e keqtrajtimeve nga ish-presidenti.
Ai tha se ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe, transmeton Klankosova.tv.
“ZPS-ja nuk citon asnjë provë që LDK-ja bojkoti qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimit të pretenduar prej zotëri Thaçit apo dikujt tjetër. ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe, dhe asnjë qëndrimi të LDK-së, dhe as nuk dha informacion shtesë për këtë”, tha Mishetiq.
Por, sipas Mishetiq, Prokuroria e Specializuar ka prova që LDK ka bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç tha ai, për shkak të mosdëshirës për t’i ndarë në mënyrë të njëjtë vendet në organin qeverisës.
“Përkundrazi, ju keni prova të asaj kohe që LDK-ja ka bojkotuar qeverinë e përkohshme të asaj kohe sepse nuk dëshironte t’i ndante njësoj vendet në qeverinë e përkohshme. Zotëri Thaçi në të vërtetë ka qenë gjithëpërfshirës”, shtoi avokati.
10:39 – Mishetiq e “skuq” ZPS-në, ia përmend dëshmitë e Clarkut për komunikatat e UÇK-së