Në Gjykatën Themelore Penale – Shkup sot ka vazhduar gjykimi për lëndën “Vauçerët sportivë”, në të cilin 12 persona akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punë të papërgjegjshme në lidhje me ndarjen e mjeteve nga programi shtetëror për mbështetjen e sportit.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-drejtorët e Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski dhe Naumçe Mojsovski, kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë, Daniel Dimevski, si dhe disa persona tjerë të lidhur me federata dhe institucione sportive.
Në seancën e sotme u bë marrja në pyetje e sekretarit gjeneral të Federatës së Notit të Maqedonisë . Mbrojtja i drejtoi shumicën e pyetjeve drejt statusit të xhirollogarisë së Federatës, e cila sipas pretendimeve në sallën e gjyqit ka qenë e bllokuar për një periudhë të gjatë, si dhe drejt hapjes së një llogarie të re ku janë orientuar mjetet nga vauçerët sportivë.
Avokatët pyetën nëse në periudhën kur Federata ka dërguar shkresa deri te Agjencia, në Regjistrin Qendror ka qenë i regjistruar një person tjetër si kryetar. Dëshmitari nuk u pajtua me pohimin se në pjesën më të madhe të asaj periudhe ka figuruar emër tjetër.
Mbrojtja problematizoi edhe faktin nëse vauçerët janë lëshuar në një llogari të sapohapur, paralele me llogarinë e bllokuar të Federatës, dhe nëse ajo llogari ka qenë e një personi tjetër juridik, gjë që sipas formulimit të pyetjeve mund të paraqesë vepër penale. Dëshmitari në përgjigjet e tij theksoi se bëhet fjalë për një llogari të lidhur me një anëtar të Federatës dhe se mjetet janë shfrytëzuar në kuadër të veprimtarisë së saj.
Gjatë marrjes në pyetje u përmendën edhe garantues të lidhur me transaksionet financiare, përfshirë personin Aleksandar Filipçev. Mbrojtja vuri në dukje edhe ndryshimet në regjistrimet në Regjistrin Qendror, duke thënë se në vitin 2021 si person i autorizuar ka qenë i regjistruar Aleksandar Malenko, ndërsa një person tjetër me emër të ngjashëm është fshirë nga ajo pozitë.
Dëshmitari u pyet edhe për motivet e kërkimit të mjeteve përmes sistemit të vauçerëve sportivë, gjegjësisht nëse qëllimi ka qenë shlyerja e detyrimeve të mëparshme për shkak të llogarisë së bllokuar, në të cilën dëshmitari u përgjigj negativisht.
Në pjesën përfundimtare, mbrojtja hapi pyetjen nëse, sipas ligjit, mjetet e marra në bazë të vauçerëve sportivë mund të përdoren ekskluzivisht për dedikime specifike.
Lënda e njohur në publik si “Vauçerët sportivë” ka të bëjë me parregullsi të pretenduara gjatë ndarjes dhe shfrytëzimit të mjeteve përmes sistemit të vauçerëve nga Agjencia për Rini dhe Sport. Sipas aktakuzës, dëmi i vlerësuar tejkalon pesë milionë euro. Procesi gjyqësor vazhdon me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve tjerë, në mesin e të cilëve është edhe ish-kryetari i Federatës së Notit të Maqedonisë, Aleksandar Malenko.