TS mëson: Kasami dhe Azizi kanë ushtruar presion ndaj Sedat Rushanit për licencën e Homologacioneve?!





Thellohet skandali brenda Lëvizjes BESA. Portali TetovaSot mëson se një nga arsyet e shkarkimit të Sedat Rushanit nga drejtori i Metrologjisë lidhet me refuzimin e tij për të dhënë licencën për Homologacione një biznesmeni nga Tetova (emrin TS e ka). Rushani ka qenë kundër këtij presioni dhe nuk ka pranuar që biznesmeni të pajiset me këtë licencë në dëm të qytetarëve.

Vetë ish-drejtori Sedat Rushani ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të flasë me fakte dhe emra për shkarkimin e tij, duke hedhur poshtë pretendimet e Bilall Kasamit për keqmenaxhim.

“Jam gati të flas me emra, data dhe fakte për shkarkimin tim,” ka thënë Rushani. Ai shton se Kasami mund të pyesë Adnan Azizin për presionin që i është ushtruar:

“Nëse nuk e di ose bën sikur nuk e di, le ta pyesë Adnan Azizin, shefin e tij, i cili e di shumë mirë se si janë marrë vendimet dhe kush ka shtyrë për këtë shkarkim. E vërteta nuk fshihet dot,” shkruan Rushani.

Ish-drejtori thekson se nuk do të kursejë askënd që ka qenë i përfshirë në këtë proces:

“Nuk do të kursej askënd: as individë, as struktura partiake, as shërbime teknike private që kanë qenë të involvuara në këtë proces. Koha e heshtjes ka mbaruar,” shton Rushani.

Ndërkaq, në Lëvizjen BESA ka shpërthyer një tjetër skandal, ndërsa pritet që sonte Kuvendi i partisë të vendosë për shkarkimin edhe të Fatmir Limanit dhe të sqarohet se çfarë pritet të ndodhë më tutje me strukturat e partisë.