Tripunovski: Nuk ka shkurtim të subvencioneve, mbështetja rritet për fermerët e vërtetë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga Kavadari i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet e opozitës për gjoja shkurtim të subvencioneve në vlerë prej 40 milionë euro.

“Ditëve të fundit dëgjojmë akuza se ka shkurtim serioz të subvencioneve. I hedh poshtë kategorikisht këto pretendime si të pavërteta. Bëhet fjalë për gënjeshtra dhe manipulime me të cilat opozita përpiqet të krijojë temë për politikë ditore,” theksoi ministri.

Ai theksoi se garnitura politike që sot kritikon, ka pasur shtatë vite për të treguar rezultate në sektorin e bujqësisë, por në vend të përparimit ka lënë pas dëme serioze dhe stagnim.

Ministri Tripunovski theksoi se Qeveria po zbaton reforma serioze dhe po siguron mbështetje të vazhdueshme për fermerët, gjë që do të rezultojë me rritje të prodhimit dhe përmirësim të gjendjes në sektor.

“Risi në Programin për vitin 2026 është shpërndarja e qartë e mjeteve. Prioritet do të kenë fermerët e vërtetë, ata që jetojnë nga bujqësia. Në vitet e kaluara janë evidentuar të ashtuquajturit ‘gjuetarë të subvencioneve’, të cilët nuk punojnë tokë bujqësore, por aplikojnë për mbështetje financiare,” deklaroi ministri.

Ai shtoi se këtë vit do të zbatohet kontroll i përforcuar, me qëllim që mjetet shtetërore të përfundojnë tek fermerët që realisht kontribuojnë në ekonomi dhe në zhvillimin e zonave rurale.

Sa i përket kushteve për përfitimin e subvencioneve, në Programin e ri është paraparë sipërfaqe minimale prej 0,5 hektarësh për të realizuar të drejtën e mbështetjes financiare.

“Qëllimi ynë është të rrisim më tej prodhimin bujqësor, veçanërisht të varieteteve të rrushit për verë, nga të cilat prodhohet verë cilësore maqedonase që do të shitet jashtë kufijve tanë. Kjo përfaqëson një hyrje të rëndësishme të valutës së huaj për ekonominë kombëtare,” sqaroi Tripunovski.