Trendafilov: Fëmijët e mi po ndiqen nga pushteti

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Slobodan Trendafilov, sot reagoi ashpër se po ndiqet – jo vetëm ai, por edhe fëmijët e tij. Sipas tij, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, publikoi në mënyrë të paligjshme një video-incizim që tregon fëmijët e tij të mitur, të cilin ai e vlerëson si “abuzim të drejtpërdrejtë”, raporton DW.

Trendafilov kërkoi që Ministria e Punëve të Brendshme të përcaktojë se kush e ka filmuar videon dhe që imuniteti i deputetes Stojanoska të hiqet, në mënyrë që të merren masa ligjore dhe udhëheqja e VMRO-DPMNE-së ta shkarkojë atë nga funksioni e saj.

Video u publikua gjatë bllokadës së Kuvendit, të organizuar nga LSM-ja si pjesë e protestave për rritjen e pagës minimale. Në videon e Stojanoskës, tregohet Trendafilovi dhe dy fëmijët e tij duke hipur në një automjet.

Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë nesër (12.02) në orën 12 do të bllokojë Odën Ekonomike, Organizatën e Punëdhënësve dhe Konfederatën e Biznesit. Bllokimi do të fillojë në udhëkryqin përpara Odës Ekonomike, ku, siç njoftoi Lidhja e Sindikatave, do të qëndrojnë 21 përfaqësues të sindikatës, aq sa janë të nevojshëm sipas minimumit ligjor për të bllokuar rrugën.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) protestoi më 10 shkurt duke bllokuar ndërtesën e Parlamentit. Në dy lokacione përreth Parlamentit, njëra në rrugën Dame Gruev dhe tjetra në rrugën 11 Tetori, kishte 21 punëtorë të cilët, me flamuj dhe fishkëllima, shprehën pakënaqësinë e tyre, duke kërkuar nga deputetët që paga minimale të rritet menjëherë në 600 euro, dhe që pagat e mbetura të rriten me të paktën 6,000 denarë ose diferencën nga rritja e pagës minimale (nga paga minimale aktuale dhe paga minimale e re).