Testime ndërkombëtare, Standard i ulët Vendor – Kur TIMSS dhe PIRLS flasin vetëm një gjuhë





Sot, në seminarin online për testimet ndërkombëtare të TIMSS dhe PIRLS për klasat e 4-ta dhe 8-ta, u fol për standarde globale, për cilësi arsimore, për matje objektive dhe krahasime me botën. U përmendën metodologji, indikatorë, analiza statistikore. Por mungoi diçka thelbësore: respekti për dygjuhësinë.
Në një shtet si Maqedonia e Veriut, ku arsimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe dhe ku mijëra nxënës shqiptarë janë pjesë e këtyre testimeve, si është e mundur që një seminar zyrtar të mos ofrojë prezantim apo përkthim në shqip? Si mund të flasim për matje të kompetencave të nxënësve shqiptarë, ndërkohë që mësimdhënësve të tyre nuk u flitet në gjuhën e tyre?
Ironia është e thellë. TIMSS mat aftësitë në matematikë dhe shkencë. PIRLS mat të kuptuarit e leximit. Por sot, institucioni organizator dështoi në një test shumë më të thjeshtë: testin e barazisë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është zbukurim politik për raportet ndërkombëtare. Ai është obligim. Në momentin që organizohet një aktivitet zyrtar dhe anashkalohet shqipja, dërgohet një mesazh i rrezikshëm: kontributi i nxënësve shqiptarë numërohet në statistika, por gjuha e tyre nuk numërohet në komunikim.
Kjo nuk është çështje teknike. Platformat online e mundësojnë përkthimin simultan me lehtësi. Kjo është çështje prioriteti. Dhe kur gjuha shqipe nuk është prioritet, atëherë as barazia nuk është.
Si mund të kërkojmë rezultate më të mira nga nxënësit e klasës së 4-t dhe 8-t, kur vetë sistemi nuk jep shembull të respektit institucional? Si mund të flasim për reforma arsimore, kur nuk arrijmë të zbatojmë një standard minimal të përfshirjes?
Nëse duam që rezultatet në TIMSS dhe PIRLS të përmirësohen, duhet së pari të përmirësojmë kulturën institucionale. Arsimi nuk është vetëm testim; është vlerë, është mesazh, është shembull. Dhe shembulli i sotëm ishte zhgënjyes.
Sepse nuk mund të kërkosh performancë ndërkombëtare, ndërsa praktikon përjashtim vendor.
Në fund, nuk ishte thjesht një seminar. Ishte një pasqyrë. Dhe ajo pasqyrë tregoi se dygjuhësia ende trajtohet si slogan, jo si standard.
Pedagog ; Naim Kurtishi – Tetovë

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo