Takim në Shkup për provimin e jurisprudencës në shqip, Ademi: “Sa më shumë zëra, aq më e fortë kauza”
Një takim i cilësuar si i rëndësishëm është zhvilluar në Shkup mes përfaqësuesve të nismës studentore për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe Ambasadorit të Italisë në vend, Paolo Palminteri.
Iniciuesi i nismës, Mevlan Ademi, bëri të ditur se në takim, ku morën pjesë edhe kolegët e tij Jon dhe Besa, është diskutuar hapur për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
“Diskutuam hapur për nismën tonë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe; një kërkesë e drejtë që lidhet me barazinë, dinjitetin dhe të drejtat që na takojnë”, citohet të ketë deklaruar Ademi.
Sipas tij, mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për avancimin e kësaj çështjeje, e cila prej kohësh konsiderohet si një nga kërkesat kryesore të studentëve dhe juristëve shqiptarë në vend.
Ademi theksoi se ambasadori italian ka shprehur gatishmëri për ta ngritur këtë temë edhe në nivel më të gjerë diplomatik.
“Ambasadori Palminteri shprehu mbështetjen dhe theksoi se do ta adresojë këtë çështje edhe në nivel më të gjerë me ambasadorët evropianë”, është shprehur ai.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e kërkesës për barazi gjuhësore në sistemin e drejtësisë, ndërsa iniciuesit e nismës theksojnë se presin që kjo çështje të marrë trajtim institucional në periudhën në vijim.
“Sa më shumë zëra, aq më e fortë kauza”, ka përfunduar Ademi, duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë deri në realizimin e plotë të kësaj kërkese.
