Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka dërguar urime të ngrohta për Kosovën pas përfundimit të seancave të sotme në Kuvend, ku u formua Qeveria e re “Kurti 3”.
Në një postim në Facebook, Spiropali shkroi për lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe përkushtimin e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme të vendit në rrugëtimin e tij drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
“Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X dhe Qeverisë së re! Urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv.Kryeministrin e parë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”, shkroi ajo.
Ajo po ashtu uroi sukses në etapën e re të zhvillimit për qytetarët e Kosovës.