Sot shkarkohet Fatmir Limani nga…?





Sot në Kuvendin e Lëvizjes BESA pritet të shkarkohet ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani. Kryetari i partisë, Bilal Kasami, mbrëmë në emisionin Click Plus deklaroi se të gjithë funksionarët që nuk tregojnë rezultate të kënaqshme në qeveri do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen me figura të tjera partiake.

I pyetur konkretisht për Fatmir Limanin, Kasami theksoi se pret që ministri të paraqitet para Kuvendit të partisë dhe të raportojë për punën e tij.

“Unë do të kisha dashur fillimisht t’i shtjellojmë të gjithë situatën, me gjithë kompleksitetin e saj, brenda Kuvendit. Nëse gjejmë zgjidhje se ku po çalon udhëheqja e një dikasteri kaq të rëndësishëm dhe si mund ta përmirësojmë performancën tonë, ndoshta nuk është e nevojshme që sot të flasim për shkarkim, nëse çështja është e sqarueshme para organeve të partisë,” deklaroi Kasami.

Megjithatë, portali TS mëson se Kasami pritet ta shkarkojë Limanin nga strukturat e Lëvizjes BESA dhe më pas t’i kërkojë kryeministrit Mickoski shkarkimin e tij edhe nga posti i ministrit. Ende nuk dihet nëse një kërkesë e tillë do të miratohet nga kryeministri.

Pas Kuvendit të BESËS, sipas portalit TS, priten zhvillime dhe lëkundje të reja politike si brenda Lëvizjes BESA, ashtu edhe në koalicionin VLEN./TS/