Sllovakia kërcënon Ukrainën me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike





Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin e Ukrainës me elektricitet nëse kjo e fundit nuk zhbllokon furnizimin me naftën ruse për vendin e tij.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Fico deklaroi se, “nëse Perëndimi nuk e ka problem faktin që gazsjellësi “Rrjedha e Veriut” u hodh në erë, Sllovakia nuk mund të pranojë që marrëdhëniet e saj me Ukrainën të shkojnë në favor vetëm të Kievit”.

Gazsjellësi “Rrjedha e Veriut” ka ndërprerë operacionet prej thuajse një muaji, me palën ukrainase që thotë se mbeti i dëmtuar nga një sulm rus me dron.

“Presidenti ukrainas refuzon të kuptojë qasjen tonë pro-paqes dhe, për shkak se ne nuk mbështesim luftën, ai po sillet në mënyrë dashakeqe ndaj Sllovakisë”, vijoi Fico në postimin e tij.

Kërcënimi erdhi një ditë pasi Hungaria njoftoi se do të bllokonte huanë e emergjencës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për shkak të dëmtimit të strukturës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm hungarez akuzoi Ukrainën se po shantazhon Budapestin me mosrifillimin e furnizimit me naftë.

Si Sllovakia edhe Hungaria varen ndjeshëm nga nafta dhe gazi rus dhe kanë të dyja marrëdhënie të ngushta me Moskën. Edhe Fico deklaroi gjithashtu se do ta bllokojë huanë.

Sllovakia është kthyer në një vend-furnizues kyç me energji elektrike për Ukrainën, duke plotësuar boshllëkun e krijuar pas sulmeve ruse që kanë dëmtuar infrastrukturën energjetike të vendit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo