Të gjithë menduan se një herë Bilall Kasami mund të bëhej “patriot” dhe t’u bënte ballë ofendimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski. Por “patriotizmi” i Bilall Kasamit ndodhi vetëm natën, në emisione televizive.
Shumë gazetarë të afërt me Kasamin dhe Lëvizjen BESA, pas “patriotizmit” të tij, bënë thirrje që pas largimit të BESËS nga qeveria të largoheshin edhe liderët e tjerë të VLEN-it. Kjo, sipas informacioneve, ishte e koordinuar nga Kasami dhe Adnan Azizi. Thirrja për dalje nga qeveria nisi të marrë mbështetje të madhe në rrjetet sociale. Edhe ata që ishin dhe kanë qenë kundër Kasamit u rreshtuan me të, vetëm për të mbrojtur dinjitetin shqiptar.
Asnjë shqiptar nuk e duron nënçmimin dhe ofendimin që i bëhet një vëllai shqiptar, e në veçanti ofendimin që iu bë Bilall Kasamit nga Mickoski dhe Filkovi. Por vetëm Bilalli e duroi gjithë atë ofendim.
“Patrioti i madh” i natës në ekranet televizive filloi me shkarkime, madje shkoi më larg duke pretenduar shkarkimin e ministrit Fatmir Limani për keqmenaxhim, për të treguar se ai është lideri që vendos në VLEN dhe në Lëvizjen BESA. Por kur Fatmir Limani doli ballë për ballë me të, Bilall Kasami ndryshoi mendje. Nga një “shqiponjë” e madhe e natës u shndërrua në një sorrë të ditës.
Kur qëndrimi i Fatmir Limanit u tregua i fortë dhe përballja ishte e drejtpërdrejtë, Bilalli nuk e shkarkoi Fatmirin, por shkarkoi të gjithë kryesinë. Shkarkimin e bëri duke e kamufluar vendimin me pretendimin se po e shkrin BESËN për VLEN-in, për të mbuluar pafuqinë e tij ndaj Fatmir Limanit dhe Hristijan Mickoskit.
Në mesazhet e grupit të kuvendarëve të BESËS në WhatsApp kishte revoltë jashtëzakonisht të madhe për vendimin e papritur të Kasamit për shkrirjen e kryesisë, pasi sipas tyre nuk janë konsultuar dhe as nuk është diskutuar më parë për një shkarkim të tillë. Të gjithë kishin pritur shkarkimin e Fatmir Limanit dhe fillimin e një epoke të re të BESËS, qoftë në qeveri apo në opozitë.
Kasami ndryshoi mendje brenda natës, jo për VLEN-in, por nga frika e largimit nga qeveria.
Shkarkimi i kryesisë së BESËS u komentua si pafuqi e Kasamit dhe Fatmir Limani u bë më i fuqishëm se Bilall Kasami. Të gjithë u mblodhën për ta shkarkuar Fatmirin, ndërsa në fund Fatmiri e “shkarkoi” kryesinë.
Nga këtu nis skenari i errët i Kasamit. Për të mbuluar turpin dhe ofendimin nga Mickoski dhe Filkovi, si dhe mosshkarkimin e Limanit, ai shkarkoi kryesinë duke u shprehur se BESA shkrihet dhe fillon konsolidimi i VLEN-it. Edhe pse e “shkriu” BESËN vetëm me fjalë, Kasami nisi turneun e tij në Saraj për VLEN-in, por pa VLEN-in.
Vetëm Bilall Kasami dhe Adnan Azizi nuk duan që të formohet realisht VLEN-i dhe të shkrihet BESA. Ata e duan VLEN-in, por me kusht që kryetar të jetë Bilall Kasami; ndryshe, nuk do të ecin asnjë milimetër për formimin e VLEN-it.
Ku fillon mashtrimi i Bilall Kasamit për formimin e VLEN-it? Shkoi në Saraj për VLEN-in apo për t’i bërë karshillëk Izet Mexhiti? Të mbash tubim për VLEN-in në Saraj dhe të mos jetë prezent kryetari i Sarajit, Muhamed Elmazi, atëherë lind pyetja: për cilin VLEN po mbahet tubimi?
Për VLEN-in e Kasamit që të mos bëhet, apo për VLEN-in e katër liderëve që duhet të bëhet?
Për të mos u bërë VLEN-i, njerëz të afërt me Kasamin i paraprijnë idesë me dy bashkëkryetarë — ide për të shkrirë Alternativën dhe ASH-në e Arben Fetahu.
Bilall Kasami harron shpejt dhe sheh vetëm interesin e tij. VLEN-i është gjallë edhe falë deputetes së ASH-së, Mimoza Musa, dhe Arben Fetahut, të cilët në momentet më kritike qëndruan stoikë ndaj vizionit të VLEN-it. Sot, me dinakërinë e tij, ai mundohet të shkrijë Arben Fetahun dhe Bekim Sali që më pas të ecë si “mbret” apo “monark”, siç thotë Fatmir Limani.
Tani të gjithë po e kuptojnë dinakërinë e Bilall Kasamit për shkrirjen e kryesisë së BESËS. Ai po e hedh topin te Izet Mexhiti që, në rast se nuk bëhet VLEN-i një parti e vetme, të mbetet i pafajshëm dhe të dalë si patrioti që deshi bashkimin, por nuk u realizua për shkak të “kapriçove të vogla” të tre liderëve.
Kjo lojë tashmë është lexuar nga Alternativa, Bekim Sali dhe ASH-ja e Arben Fetahut. Skenari për të shkrirë Alternativën dhe ASH-në nuk do të ndodhë, thonë nga dy partitë.
Sipas tyre, Bilall Kasami nuk mund të mbulojë turpin me ide për shkrirje të partive të tjera. VLEN-i është krijuar i barabartë mes katër partive dhe do të bëhet vetëm nëse ato ndahen në mënyrë të barabartë, ndryshe, VLEN-i nuk do të ekzistojë.
Sipas Alternativës dhe ASH-së së Arben Fetahut, ka dy rrugë: njëra të lejojë që lider i VLEN-it të bëhet Izet Mexhiti dhe të shkrihet BESA, dhe tjetra të zbatohet rotacioni, ashtu siç është marrë vesh në fillim. Ndryshe, VLEN-i mund të bëhet, por pa Bilall Kasamin! /TS/