Sindikatë e re e policisë dërgon iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për heqjen e shtesës 30%: kërkohet anulimi i ndryshimeve ligjore
Themeluesi i Sindikatës së Pavarur të Policisë (NSP), Flori Epiriani, ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Ligjin për Punë të Brendshme dhe Ligjin për Policinë, që kanë të bëjnë me pagat dhe shtesat mbi pagë të punonjësve të policisë informon Tetovasot.
Në nismën e tij, Epiriani konteston ndryshimet ligjore me të cilat shtesa fikse për rrezikshmëri dhe specifikën e punës ,e njohur si shtesa për autorizim prej 30 për qind, përkatësisht 20 për qind është hequr nga ligji dhe është lënë të rregullohet me akte nënligjore ose me marrëveshje kolektive.
Sipas tij, këto ndryshime cenojnë parimin e sundimit të së drejtës, të garantuar me nenin 8 të Kushtetutës, duke krijuar pasiguri juridike për statusin ekonomik të punonjësve të policisë.
“Profesioni i policit është profesion me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon mbrojtje ligjore të veçantë. Zhvendosja e të drejtave nga ligji në akte nënligjore krijon mundësi që ato të zvogëlohen në mënyrë të njëanshme nga ana e pushtetit ekzekutiv, pa kontroll parlamentar”, thuhet në arsyetimin e iniciativës.
Në iniciativë theksohet gjithashtu se ndryshimet ligjore bien ndesh edhe me nenin 32 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën për fitim të rregullt dhe të përshtatshëm me peshën dhe rrezikshmërinë e punës.
Sipas parashtruesit, rreziku nga përdorimi i armëve të zjarrit dhe nga zbatimi i detyrave policore është objektiv dhe i përhershëm, ndërsa heqja e garancisë ligjore për shtesën për rrezikshmëri nënkupton se shteti nuk e trajton më këtë rrezik si pjesë të detyrueshme të pagës.
Një nga argumentet e ngritura para Gjykatës Kushtetuese është edhe cenimi i parimit të barazisë, pasi sipas iniciativës , punonjësit e policisë vihen në pozitë të pabarabartë në krahasim me kategori të tjera profesionale me detyra specifike, të cilave të drejtat nga marrëdhënia e punës u janë të garantuara drejtpërdrejt me ligj.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Flori Epiriani propozon:
fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara, dhe
shfuqizimin ose anulimin e tyre, me qëllim rikthimin e zgjidhjes së mëparshme ligjore që garantonte shtesë fikse për rrezikshmëri.
Në një deklaratë publike drejtuar opinionit dhe punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Epiriani thekson se shteti, përmes këtyre ndryshimeve, e ka shndërruar të drejtën për shtesë në pagë në çështje të negociatave dhe vullnetit politik.
Ai u bën thirrje të gjithë punonjësve të policisë për unitet, duke theksuar se kjo iniciativë para Gjykatës Kushtetuese është “fillimi i betejës juridike për ruajtjen e integritetit të profesionit të policit”.TS