Publiku është në shok pas zbulimit të rastit me vrasësin e dyshuar serial në rajonin e Kumanovës. Reagimet po shtohen se pse askush nuk e ndaloi me kohë, megjithëse gra të moshuara ishin gjetur të vdekura, ndërsa dyshohet se disa prej tyre ishin edhe të dhunuara.
Një pjesë e reagimeve kanë mbërritur edhe në Telma, ku banorë të rajonit thonë se 25-vjeçari i dyshuar ka qenë i njohur për policinë, por asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa për ta ndaluar.
“Te njëra nga gratë ku kishte hyrë, kishte kamera në shtëpi dhe ai ishte incizuar dhe identifikuar, por policia nuk i ka pranuar incizimet si prova sepse kamerat nuk ishin të regjistruara si të vendosura. Nuk është e drejtë. Sa herë që denoncohej, policia e lironte vetëm për shkak se kishte dëshmi se nuk ishte mirë psikikisht”, deklaroi një banor i Staro Nagoriçan.
I dyshuari u arrestua pasi u gjet e vdekur një e moshuar në shtëpinë e saj në Staro Nagoriçan. Pas marrjes në pyetje, u urdhërua zhvarrosja e trupit të një gruaje më të re, e cila gjithashtu ishte gjetur e vdekur në banesën e saj. Ndërkohë janë hapur dyshime edhe për raste të ngjashme nga viti i kaluar, ku gra janë gjetur të vdekura dhe gjysmë të zhveshura, dhe tani po hetohet nëse ai qëndron edhe pas këtyre vrasjeve.
Dje, Telma publikoi dëshminë e një 86-vjeçareje të sulmuar në shtëpinë e saj, e cila tha se kishte shpëtuar rastësisht. Djali i saj, Jovica Trajkovski, theksoi se kishte dijeni edhe për raste të tjera dhe ngriti pyetjen nëse i dyshuari kishte vepruar i vetëm apo ishte i udhëzuar nga dikush.
“Në një fshat tjetër ka pasur edhe një grua të vrarë para pesë muajsh dhe ai rast lidhet me këtë. Ai ka pranuar se është ai, por duhet të zbulohet si ka vepruar, a ka qenë vetëm apo dikush e ka drejtuar. Ai shkonte pas të moshuarve, është kapur në kamera duke tentuar të hyjë, por dera ka qenë e mbyllur”, tha Trajkovski.
Sipas banorëve, i dyshuari ishte trupmadh, mjaft i gjatë dhe lëvizte vazhdimisht me biçikletë nëpër fshatra. Ai ishte zhvendosur që fëmijë me nënën e tij në një familje me shumë anëtarë në fshatin Dragomancë. Thuhet se kishte vështirësi në të folur dhe komunikonte me vështirësi me rrethin ku jetonte.
Autori i librit “Vrasje serike në Maqedoni” dhe magjistër i sigurisë, Dimitar Stevçev, vlerëson se raste të tilla mund të parandalohen, por vetëm me hetim të mirëfilltë.
“Mënyra e parandalimit apo zbulimit varet nga organizimi i vetë vrasësit, sa është i përgatitur të fshehë gjurmët. Por gjithashtu varet edhe nga aftësia e institucioneve tona për ta zbuluar me kohë dhe për të ndërmarrë masa përkatëse. Në këtë rast konkret, personi nuk ka marrë masa të posaçme për të shmangur zbulimin, ndërsa elementet dhe mjetet që ka përdorur i ka lënë thuajse hapur”, deklaroi Stevçev.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për momentin nuk zbulojnë detaje për hetimin dhe nëse ka pasur lëshime në rastet e mëparshme. Nga Prokuroria, për Telma, është deklaruar se do të hetohet nëse ka përgjegjësi institucionale.
Jozyrtarisht, burime të Telmës bëjnë të ditur se po hetohen tre raste nga ky vit dhe dy nga viti i kaluar, ku gra janë gjetur të vdekura dhe rrethanat i lidhin me të dyshuarin.