Si e shndërroi pakujdesia njerëzore shiun në katastrofë?!

Si e shndërroi pakujdesia njerëzore shiun në katastrofë?!

Faktori njerëzor, e jo fatkeqësia natyrore, janë arsyet kryesore për përmbytjet në vend, vlerësojnë ekologjistët. Maqedonia nuk është një zonë gjeografike e prirur për reshje ekstreme, por këtu nuk tregohet kujdes i mjaftueshëm. Nuk funksionojnë bashkësitë ujore dhe ato lokale, nuk ka pastrim të rregullt të shtretërve të lumenjve dhe mungon profesionalizmi, thotë Vanço Stojanoski nga ED “Grashnica”. Ai shton se brenda një muaji, tri herë ka dalë nga shtrati lumi Koselska në rajonin e Ohrit, gjë që më parë nuk ka ndodhur kurrë, dhe kjo situatë po përsëritet gjithandej në vend gjatë kësaj periudhe.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha te bujqit, të cilët nga arat e tyre sigurojnë ekzistencën kryesore. “Po luajmë me fatet e njerëzve”, shton Stojanoski dhe apelon që institucionet të angazhohen gjatë gjithë vitit në terren, e jo vetëm nga zyrat, si dhe rregullisht të mirëmbajnë gjendjen e shtretërve të lumenjve në mbarë shtetin.

Ndër faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë situatë janë edhe prerja masive e pyjeve, pasi kodrat e zhveshura nuk mund ta përthithin më ujin atmosferik; lumenjtë janë shndërruar në deponi të egra, ndërsa sistemet që duhet të mbrojnë tokat bujqësore dhe qytetet nuk pastrohen rregullisht, duke humbur kështu funksionin e tyre parësor. Për më tepër, betonizohet dhe ndërtohet në zona ku lumenjtë natyrshëm duhet të përmbyten, duke penguar rrjedhën e lirë dhe kullimin natyror të ujit.

Daljet e fundit të lumenjve nga shtrati kanë shkaktuar dëmet më të mëdha pikërisht në rajonin jugperëndimor, ndërsa më kritike ishte gjendja në Kërçovë dhe Ohër.

Qendra për Menaxhimin me Kriza (QMK) njofton se për shkak të reshjeve të shiut dhe borës në 24 orët e fundit, në disa lokacione në vend është shënuar rritje e nivelit të ujit në lumenj.

Situata më e rëndë është në Kërçovë, ku janë evidentuar 250 persona të evakuuar, përkatësisht 63 familje. Atyre u sigurohet ushqim, ujë dhe mbështetje e domosdoshme.

Ekipet e shërbimeve komunale po punojnë në pastrimin dhe thellimin e shtratit të lumit Zajaska, si dhe në pastrimin e rrjetit të kanalizimit. Ekipet zjarrfikëse dhe të shpëtimit po kryejnë pompimin e ujit nga bodrumet, sipas paraqitjeve të banorëve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo