Sela: Në Çair ka më shumë kamera se në pjesën tjetër të Shkupit





Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” shprehu shqetësime dhe dilema lidhur me projektin “Qyteti i Sigurt”, duke vënë në pah mospërputhje mes investimeve teknologjike dhe gjendjes reale të infrastrukturës në disa komuna.

Sela theksoi se Komuna e Çairit, e cila sipas tij nuk ka infrastrukturë të zhvilluar siç duhet, po pajiset me teknologjinë më bashkëkohore në komunikacion, gjë që ngre pikëpyetje serioze mbi prioritetet e pushtetit.

“Nuk e di sa e ka realisht brengën ky pushtet për qytetarët. Nuk e kuptoj pse Qeveria po nxiton që ky ligj të miratohet pa një debat të mirëfilltë dhe pa u hapur tema të rëndësishme që lidhen me këtë projekt, i cili sipas vetë Qeverisë është shumë i rëndësishëm. Edhe ne mendojmë se nuk ka asgjë të keqe që siguria e qytetarëve të rritet çdo ditë, por realisht lindin shumë dilema”, deklaroi Sela.

Ai shtoi se është e pakuptimtë që një komunë me infrastrukturë që “nuk i ngjan këtij shekulli” të ketë teknologjinë më moderne në komunikacion, apo që numri i kamerave në Çair të jetë më i madh se në komunat e tjera.

“Sot mund të ndodhë që në rrugën ‘Xhon Kenedi’ të ketë më shumë kamera se në pjesën tjetër të qytetit të Shkupit”, përfundoi Sela.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo