Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Penale të Shkupit për një rast korrupsioni lidhur me fondet IPARD.
Një person akuzohet për dhënie ryshfeti dhe shpërblim për ndikim të paligjshëm, tre persona për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm, ndërsa një person tjetër për marrje ryshfeti.
Sipas prokurorisë, drejtuesi i një kompanie kishte aplikuar për mbështetje financiare, por aplikimi nuk plotësonte kushtet. Për ta ngritur në renditje dhe për ta miratuar shumën e plotë, ai kishte premtuar 50 mijë euro dhe kishte dhënë 5 mijë euro për persona që të ushtronin presion për vendim të paligjshëm. Prokuroria kërkon vazhdim të masave të paraburgimit dhe konfiskim të parave e pajisjeve të përdorura në vepër.