RUSOFILIA DHE PUTINOFILIA NË SERBI

Shkruan: Merxhan Jakupi
Sipas revistës së pavarur serbe NIN, presidenti rus Vladimir Putin është një nga figurat më të adhuruara dhe më të admiruar në Serbi. Sondazhet tregojnë se presidenti rus gëzon më shumë reputacion, kredibilitet dhe admirues në Serbi dhe në Republikën Srpska sesa në vetë Federatën Ruse.
Po ashtu, sipas sondazheve në Serbi, nga lista prej 10 shteteve më miqësore dhe më të lidhura shpirtërisht e kulturalisht me serbët, rusët renditen në vend të parë. Ndërsa në Rusi, nga 20 shtetet më miqësore dhe më të lidhura kulturalisht, shumica janë ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, Bullgaria, Rumania dhe disa shtete të tjera. Paradoksi që vihet re është se Serbia nuk figuron fare në këtë listë prej 20 shtetesh.
Sipas historianit, diplomatit, ish-ambasadorit në SHBA dhe kundërshtarit të ashpër të Millosheviqit dhe të qeverisë së Aleksandar Vuçiçit, Milan St. Protiq, lidhja “miqësore” mes dy popujve dhe dy shteteve është ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Miti mbi lidhjet e ngushta mes serbëve dhe rusëve ka filluar me mitin e Kosovës. Rusofilia dhe sidomos putinofilia u përhapën me ardhjen e Partisë Radikale të Sheshelit dhe ish-presidentit serb Tomislav Nikoliq. Vetë Nikoliq ka deklaruar se “më shumë e dua Rusinë dhe Putinin sesa Serbinë”.
Rusofilia dhe putinofilia morën hov të madh me fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi. Me ardhjen në pushtet të Vuçiqit në vitin 2013 e deri më sot, presidenti rus Vladimir Putin është shndërruar në mit, idol dhe ikonë. Në Serbi, në Republikën Srpska dhe në veriun e Kosovës, portretet dhe fotot e tij mbahen njësoj si portretet e Josip Broz Titos dikur në Jugosllavi. Shumë lagje, fshatra dhe shkolla mbajnë emrat e carëve rusë. Ditëlindja e Putinit festohet në shumë zona të Serbisë në mënyrë pompoze dhe spektakolare.
Një nga analistët dhe eseistët më të njohur të politikës së jashtme gjatë Jugosllavisë dhe tri dekadave të fundit në Serbi, Bosko Jaksiq, pohon se gjatë dy shekujve të fundit rusët kanë qenë shumë më të afërt dhe më aleatë me bullgarët sesa me serbët.
Pas Kongresit të Berlinit dhe atij të Shën Stefanit në qershor të vitit 1878, kur Perandoria Osmane kishte filluar të dobësohej, Rusia cariste synonte të ndihmonte popujt sllavë, serbët dhe bullgarët. Në periudhën 1876–1878 shpërtheu lufta ruso–osmane. Pikërisht në këtë periudhë filluan gjenocidi, etnocidi dhe pastrimet etnike ndaj shqiptarëve të Toplicës, Prokupljes, Leskovcit e deri në Nish.
Sipas historianit zviceran Oliver Schmid, Rusia, duke parë dobësimin e Perandorisë Osmane, përveç ndihmës që u ofronte popujve sllavë për të luftuar “armikun shekullor”, kishte edhe interesa të qarta gjeostrategjike: të dilte në det dhe të zgjeronte ndikimin e saj ekspansionist panasllavist në rajonin e Ballkanit. Rusia cariste ka pasur aleancë shumë më të fortë me Bullgarinë. Nga fundi i shekullit XIX deri në rënien e dinastisë Romanov, marrëdhëniet me Serbinë kanë qenë normale, por jo aq të ngushta sa ato me Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Në vitin 1917 Serbia ndërpreu marrëdhëniet me Rusinë pasi bolshevikët rrëzuan dinastinë Romanov. Vladimir Iliç Lenini më vonë persekutoi dhe ekzekutoi carin me gjithë familjen. Në atë periudhë, shumë disidentë, intelektualë dhe aristokratë rusë gjetën strehim në Mbretërinë Jugosllave.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe sot: shumë kundërshtarë, opozitarë dhe disidentë rusë u arratisën në Serbi gjatë katër viteve të agresionit rus kundër Ukrainës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca ideologjike mes Jugosllavisë komuniste dhe Bashkimit Sovjetik zgjati vetëm dy vjet e gjysmë. Në janar 1948, me Rezolutën e Informbyrosë, Tito u shkëput nga Stalini. Pas vdekjes së Stalinit dhe rënies së kultit të tij, Nikita Hrushovi vizitoi Beogradin në vitin 1954. Megjithatë, marrëdhëniet mbetën të ftohta për më shumë se katër dekada, deri në rënien e komunizmit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.
Presidenti i parë rus pas shpërbërjes së BRSS, Boris Jelcin, sipas shumë serbëve, ishte “vazal i Perëndimit”. Ata besojnë se Jelcini tradhtoi “vëllezërit sllavë të një gjaku dhe një feje”. Sipas këtij diskursi, Jelcini jo vetëm që nuk i mbrojti interesat serbe, por madje lejoi edhe procesin që çoi në pavarësinë e Kosovës, duke punuar në harmoni me SHBA dhe BE, të cilët, sipas narrativës serbe “ndihmuan secesionin dhe aneksimin e territorit të Serbisë”.
Për Serbinë, periudha e Jelcinit konsiderohet ndër më tragjiket. Shumë analistë dhe historianë serbë kanë shkruar dhe theksuar se po të kishte ndodhur lufta mes Serbisë dhe Kosovës në kohën e Vladimir Putinit, e gjithë aleanca transatlantike dhe NATO nuk do të mund ta ndalonin Serbinë të mbante Kosovën dhe nuk do të lejohej pavarësia e saj.
Në Ballkanin Perëndimor, prania e agjenturës ruse është e ndjeshme. Thuhet se mbi 4 000 agjentë të sigurisë ruse veprojnë kryesisht në Serbi, në Republikën Srpska, si dhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Propaganda ruse në rrjetet sociale dhe në mediat serbe është shumë e dukshme. Dy kanalet kryesore, “Sputnik” dhe “RT”, zhvillojnë propagandë dhe agjitacion të vazhdueshëm kundër Bashkimit Evropian. Në këto kanale, si edhe në shumë portale serbe, Kisha Ortodokse Serbe shfaqet si një strukturë e varur nga Kisha Ortodokse Ruse.
Në shumë portale dhe kanale televizive të Serbisë dhe Republikës Srpska dominojnë narrativa patriotike, nacional-romantike dhe emocionale. Shpesh dëgjohen shprehje popullore te serbet, që e përligjin këtë adhurim dhe lidhje shpirtërore mes serbeve dhe rusëve. Një ndër to është “ Zoti është lartë, ndërsa edhe Rusia është lart. Po të ishim afër në kufi me Rusinë, Serbia do behej guverna e mëmës Rusi”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo