Rrëshqitja e dheut tek Arrat e Gurrës, ndalohet plotësisht
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton ndalimin e plotë të qarkullimit në aksin Librazhd-Pogradec në vendin e quajtur Arrat e Gurrës. Sipas njoftimit të ARRSH-së ky vendim u mor në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të këtij aksi nga rrëshqitjet e dherave. ARRSH njofton se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar një bypass provizor, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative.
“Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment. Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.
U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, njofton ARRSH.