Rektori i Universitetit të Tetovës mori pjesë në ceremoninë e 56-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës





Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, sot, më 13 shkurt 2026, mori pjesë në ceremoninë solemne të 56-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë veprimtari, ku u shënua kontributi arsimor dhe shkencor i këtij institucioni ndër vite, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli përcolli urimet vëllazërore për Universitetin e Prishtinës, në të cilin janë formuar qindra studentë shqiptarë, përfshirë edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ai rikujtoi vitet e para të themelimit të Universitetit të Tetovës, i cili mbështetjen institucionale e ka pasur pikërisht nga Universiteti i Prishtinës. Përmes angazhimit të kuadrove nga njësitë akademike të këtij universiteti, u mundësua ngritja dhe funksionimi i Universitetit të Tetovës në vitet e para të veprimtarisë së tij.
Rektori ynë theksoi se ky bashkëpunim vëllazëror vijon edhe sot, në forma të tjera, tashmë si institucione me reputacion në rajon dhe më gjerë.
Në këtë organizim solemn u theksua se universitetet shqiptare kanë rol kyç në avancimin e arsimit, shkencës dhe kulturës sonë, bartjen e misionit kombëtar dhe adresimin e çështjeve e kauzave me të cilat përballet kombi ynë.
Universiteti i Prishtinës, ndër vite, ka nxjerrë mijëra profesionistë në fusha të ndryshme dhe ka qenë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror në hapësirën gjithëkombëtare.

Rektori i Universitetit të Tetovës mori pjesë në ceremoninë e 56-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës