Reagon Besija Iljazi: Nuk kam paguar “honorare” të paligjshme., kam paguar njerëz që kanë punuar çdo ditë
Unë Besija Iljazi, sot po flas jo vetëm si ish-drejtoreshë ekonomike në Klinikën e Toksikologjisë, por si njeri që po përballet me një padrejtësi të madhe.
Nuk kam paguar “honorare” të paligjshme. Kam paguar njerëz që kanë punuar çdo ditë në Klinikë, që kanë ardhur në punë me përgjegjësi dhe dinjitet për më shumë se gjashtë muaj pa marrë asnjë rrogë. Ata nuk ishin emra në letër – ishin punëtorë realë, me familje, me obligime, me fëmijë për të ushqyer. Ato nuk ishin punësimet e mija, por i gjeta aty, punonin pa kontrata dhe pa rroga.
Unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam kërkuar që atyre t’u jepet ajo që u takonte.
A është krim të paguash dikë që ka punuar? A është keqpërdorim t’ia japësh hakun atij që e ka merituar me djersë?
Më dhemb fakti që pas kësaj padrejtësie të gjithë ata të punësuar i larguan nga puna dhei përjashtuan, vetëm pse ishin shqiptarë. Në vend që të flasim për diskriminimin dhe padrejtësinë që iu bë atyre, sot flitet për mua si fajtore pse janë paguar për punën e kryer.
Unë e pranova përgjegjësinë time ligjore, sepse besova se kështu do të mbyllej një kapitull i dhimbshëm. Por e vërteta ime mbetet kjo: nuk kam vjedhur, nuk kam përfituar asnjë denar për vete. Kam vepruar me bindjen se po bëja gjënë e drejtë – po paguaja njerëz që kishin punuar pa rroga për muaj të tërë.
Në drejtësinë që po jetojmë, duket se nëse nuk vjedh, nëse nuk merr për vete, por përpiqesh të paguash punëtorin e thjeshtë, rrezikon të dënohesh. Kjo është ajo që më dhemb më shumë – jo dënimi, por mesazhi që po u jepet njerëzve: se drejtësia nuk matet gjithmonë me drejtësi.
Unë do të vazhdoj të jetoj me ndërgjegje të pastër, sepse e di që nuk kam bërë padrejtësi ndaj askujt. Nëse gabimi im ishte që zgjodha të mos mbyll sytë përballë padrejtësisë ndaj punëtorëve, atëherë ky është një “faj” që do ta mbaj me kokën lart.