
Një ngjarje e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Shkollën e Mesme të Ulët “Pavarësia” në kryeqytet ka shkaktuar reagime të shumta publike.
Një arsimtar u përfshi në një konflikt fizik me një nxënës 15-vjeçar, incident që u filmua dhe u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ndezur debate të forta mbi sjelljen e nxënësve dhe rolin e prindërve e shkollës.
Sipas informacioneve paraprake, mësimdhënësi dyshohet se është provokuar fillimisht nga nxënësi si verbalisht ashtu edhe fizikisht. Raportohet se provokimi mund të ketë qenë i parapërgatitur, pasi disa shokë të tij ndodheshin pas tij duke filmuar në një klasë ku nuk kishte kamera sigurie.
Pas ngjarjes ka reaguar publikisht reperi i njohur Gold AG, i cili në një shkrim të gjatë dhe emocional kritikoi rënien e respektit ndaj figurës së mësuesit. Ai theksoi se në kohën e tij nxënësit kishin turp edhe të ndiznin cigaren para arsimtarëve, ndërsa sot, sipas tij, disa nxënës i drejtohen mësuesve me fjalor të papranueshëm.
Artisti ndau edhe një histori personale, duke treguar respektin e thellë që kishte për mësuesen e tij të ndjerë Minire. Ai tha se pavarësisht suksesit dhe famës së tij, para saj ndihej gjithmonë si nxënës, duke vlerësuar rolin e edukatës familjare në formimin e karakterit.
Në fund, Gold AG iu drejtua prindërve duke u kërkuar që të mos justifikojnë sjelljet e gabuara të fëmijëve të tyre. Ai theksoi se dhuna nuk është zgjidhje, por shtoi se prindërit duhet të marrin përgjegjësi për edukimin dhe të mos përdorin telefonat si mjet presioni ndaj mësuesve.