Duhet të jetë e qartë tashmë se presidenti rus, Vladimir Putin, po luan me kohën. Negociatorët e tij po i zvarrisin bisedimet e paqes, duke përdorur enkas një retorikë pajtuese për të shmangur presionin e ripërtërirë të SHBA-së, ndërsa raketat dhe dronët rusë godasin Ukrainën.
Nëse Shtëpia e Bardhë dëshiron të ndërmjetësojë një zgjidhje të qëndrueshme, do të duhet ta bëjë vazhdimin e luftës më të kushtueshme për të. Ndërsa forcat ruse regjistrojnë pak përparim në vijat e frontit, Kremlini ka intensifikuar sulmet e tij ndaj civilëve ukrainas.
Kështu, në prag të negociatave në Abu Dhabi, Rusia lëshoi 450 dronë dhe 71 raketa në rrjetin energjetik të Ukrainës në temperatura -20°C. Disa ditë më vonë, Rusia goditi përsëri, duke synuar linjat e transmetimit të tensionit të lartë që përbëjnë shtyllën kurrizore të rrjetit.
Çdo goditje i përkeqëson dëmet e mëparshme. Prodhuesi më i madh privat i energjisë në Ukrainë, DTEK, thotë se afërsisht 80 për qind e kapacitetit të tij gjenerues termik është shkatërruar ose dëmtuar.
Termocentralet me karburant, të cilat përbënin afërsisht dy të tretat e kapacitetit termik të Ukrainës para luftës, ofrojnë si energji elektrike ashtu edhe ngrohje qendrore. Ukrainasit përballen tani jo vetëm me ndërprerje të energjisë, por edhe me ngrirje të shtëpive, ashensorë të bllokuar në ndërtesa të larta dhe furnizim të ndërprerë me ujë.
Banorët e Kievit marrin vetëm disa orë energji elektrike në ditë. Kryetari i bashkisë së qytetit thotë se gati 600.000 njerëz janë larguar nga kryeqyteti. Qëllimi i Kremlinit është i dyfishtë: të ngrijë civilët ukrainas deri në nënshtrim dhe të bindë botën se fitorja e Rusisë është e pashmangshme dhe ndihma për Ukrainën thjesht e vonon këtë rezultat me shpenzime të panevojshme.
Në fakt, pas gati 4 viteve luftime, Rusia kontrollon vetëm 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe ka bërë përfitime të vogla territoriale që nga fillimi i luftës, dhe këto me kosto të jashtëzakonshme. Rreth 1.2 milion ushtarë rusë janë vrarë, plagosur ose janë të zhdukur.
Afërsisht 40 për qind e shpenzimeve federale tani shkojnë për mbrojtje dhe siguri, duke e shteruar ekonominë e Rusisë dhe duke e tkurrur fuqinë e saj punëtore. Presioni shtesë mbi Putinin do të kishte ndikim, gjë që është një nga arsyet pse negociatorët e tij po punojnë me kaq zell për ta shmangur atë.
Evropa ka dërguar gjeneratorë emergjence dhe ka zhvendosur një termocentral të tërë nga Lituania në Ukrainë. Por ajo që nevojitet vërtet janë sistemet shtesë të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur nënstacionet dhe termocentralet, si dhe më shumë transformatorë dhe pajisje për forcimin e rrjetit.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe Evropa duhet të përqendrohen në pakësimin e mëtejshëm të të ardhurave të Rusisë nga eksportet e naftës. Një projektligj dypartiak në Senatin e SHBA-së, që synon vendosjen e sanksioneve ndaj blerësve të energjisë ruse si India dhe Kina, do të ndihmonte jo pak në këtë drejtim.
Po kështu do të ndihmonte edhe një paketë e re sanksionesh e propozuar nga Bashkimi Evropian, e cila përfshin një ndalim për kompanitë e lidhura me BE-në që ofrojnë sigurime, riparime, financim dhe shërbime të tjera transporti për çdo cisternë që transporton naftë ruse.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kombet ranë dakord që luftërat duhet të kenë kufizime. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për komandantët rusë për sulme në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Ndërsa Rusia e hedh poshtë juridiksionin e gjykatës, sulmet ndaj objekteve të domosdoshme për mbijetesën e civilëve janë të ndaluara sipas Konventave të Gjenevës dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore. Ideja se ato mund ta sjellin paqen më afër është qesharake. Është koha që SHBA-ja ta thotë këtë. /tesheshi.com/