TIRANË– Policia e Tiranës nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike për të zhvilluar protestën e saj kombëtare, nisur nga fakti, se në dy protestat e kaluara pati dhunë ndaj efektivëve.
Ky veprim i saj u komentua nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila tha se e drejta për të protestuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se të gjithë ata që guxojnë të kryejnë akte të dhunshme do të përgjigjen para ligjit.
Gazetarët pyetën ministren se kush e ka bërë kërkesën për lejen e protestës nga PD, ministrja Koçiu tha se nuk ka informacion, por sugjeroi që kjo e dhënë mund të merret pranë organeve të policisë.
“Protesta është e drejtë kushtetuese, për të protestuar në mënyrën paqësore. Policia e shtetit nuk e ka miratuar zhvillim e protestës së sotme, kjo është një procedurë, e cila është e lidhur me dy protestat e kaluar duke marrë në konsideratë veprimet e dhunshme në dy protestat e kaluara.
Policia e Shtetit ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë dhe është e angazhuar maksimalisht.
Si të jetë një protestë me leje, si pa leje, kushdo që kryen një veprim që dënohet penalisht, padyshim që prokuroria e bën klasifikimin veprës, në varësi të veprimit që kryhet. Sa i përket kush e ka bërë kërkesën, nuk e di, por patjetër Policia e Shtetit mund t’ju informojë”, tha ajo./abcnews.al