Protesta e LSM-së bllokon Kuvendin: Gashi u kërkon deputetëve të gjejnë mënyra për të mbërritur në seancë





Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u ka bërë thirrje deputetëve që të gjejnë mënyra për të marrë pjesë në seancën e nesërme, pa cenuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Ky reagim vjen në prag të protestës së paralajmëruar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e cila do të nisë nesër në orën 09:00 me bllokimin e rrugëve përreth ndërtesës së Parlamentit.

​Gjatë koordinimit të sotëm me grupet parlamentare, u ra dakord që Kuvendi të vijojë punën pa ndërprerje. Gashi theksoi se nuk do të ketë masa speciale sigurie, pasi Ministria e Punëve të Brendshme ka protokollet e saj të rregullta. “Nuk besoj se dikush do të vijë me makinë, mund të vijnë në këmbë ose më herët. Ne do të vazhdojmë punën, ndërsa ata do të protestojnë. Shpresoj që gjithçka të kalojë qetësisht,” deklaroi ai në një brifing me gazetarët.

​Protesta, e udhëhequr nga kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, do të përfshijë bllokada në rrugët “11 Tetori” dhe “Dame Gruev”. Sipas sindikatës, ky aksion është pjesë e presionit për rritjen e pagës minimale dhe rritjen lineare të të gjitha pagave të tjera. Trendafillov shtoi se bllokada vjen si pasojë e heshtjes njëvjeçare të deputetëve ndaj propozimeve të sindikatës për përmirësimin e standardit të punëtorëve.