Prof. dr. Berton Sulejmani
Më 23 shkurt 2026, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, u organizua një debat i gjerë për Propozim-Ligjin për Arsimin Sipëror dhe për Propozim-Ligjin për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Sipëror dhe Shkencë. Debati u mbajt në kuadër të shqyrtimit publik të projektligjeve të publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me qëllim të përfshirjes së komunitetit akademik për dhënien e vërejtjeve dhe propozimeve konkrete. Në atë debat ngrita çështjen e vlerësimit të punës shkencore në filologji, duke theksuar se cilësia e kërkimit nuk mund të matet vetëm me kritere numerike apo procedurale.
Tradita institucionale si themel i autoritetit shkencor
Brenda shkencave filologjike, maqedonistika dhe albanologjia, nuk janë fusha të zakonshme kërkimi. Ato lidhen drejtpërdrejt me gjuhën, identitetin kulturor dhe kujtesën historike. Në këto disiplina, autoriteti shkencor ndërtohet brenda institucioneve që për dekada kanë krijuar traditë kërkimore dhe standarde të qëndrueshme.
Në maqedonistikë, këtë rol e kanë Akademia e Shkencave dhe Arteve, Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski” të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, Instituti i Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov” dhe qendra të tjera kërkimore. Në albanologji, një peshë të veçantë kanë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institucionet kërkimore në Tiranë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës dhe qendra të tjera akademike. Nga këto institucione kanë dalë dhe dalin gramatikat normative, studimet dialektologjike, fjalorët dhe veprat themelore që përbëjnë bazën e disiplinave përkatëse. Për këtë arsye, ky kapital shkencor nuk mund të reduktohet në tregues numerikë, apo në matje të thjeshta të dukshmërisë ndërkombëtare.
Ndërkombëtarizimi përballë realitetit institucional
Propozim-ligji i ri me të drejtë vë theksin te rëndësia e botimeve në revista të indeksuara në bazat ndërkombëtare të citueshmërisë (Scopus dhe Web of Science). Këto janë mekanizma të njohur të vlerësimit dhe të dukshmërisë shkencore në nivel ndërkombëtar. Megjithatë, në fusha si maqedonistika dhe albanologjia, përgatitja e një studimi për publikim në revista të tilla kërkon përkthim të specializuar, mbështetje financiare etj. Kjo kërkon edhe mbështetje të qartë institucionale nga fakultetet dhe institutet, në mënyrë që studiuesit të mos mbingarkohen me detyrime administrative në dëm të punës shkencore dhe pedagogjike. Pa këto kushte, kërkesa për botime në Scopus ose Web of Science rrezikon të mbetet thjesht një kriter formal, i shkëputur nga realiteti i fushave përkatëse. Reforma duhet të jetë e lidhur me realitetin institucional.
Në Fakultetin Filologjik studiohen edhe gjuha dhe letërsia angleze, gjermane, italiane, frënge etj. Nuk mund të pritet që ne të bëjmë studimet më të thelluara kombëtare për këto gjuhë në kuptimin që i bëjnë vetë qendrat e tyre amë. Misioni ynë themelor është formimi i kuadrit që do të mbulojë mësimin e këtyre lëndëve në arsimin parauniversitar. Prandaj, puna pedagogjike duhet të njihet dhe të vlerësohet qartë në ligj, krahas punës shkencore, sepse universiteti nuk është vetëm hapësirë kërkimi, por edhe vend ku formohen breza të rinj mësimdhënësish.
Kur forma zë vendin e përmbajtjes
Në debat ngrita edhe një shqetësim tjetër: prirjen për ta barazuar cilësinë shkencore me përmbushjen formale të kritereve. Ndodh që botime me peshë të kufizuar, por që plotësojnë teknikisht kushtet e kërkuara, të mjaftojnë për avancim, ndërsa studiues me kontribut të gjatë dhe me ndikim të dëshmuar në disiplinë të mbeten pa vlerësimin e merituar. Kështu krijohet një përmbysje e heshtur e rendit të vlerave.
Një sistem i drejtë duhet të dallojë qartë mes formës dhe përmbajtjes, mes treguesit formal dhe peshës reale të kontributit. Përndryshe, rrezikojmë të ndodhë ajo që e thotë urtia popullore: “çohen përroskat e ndalen lumenjtë” — ku ajo që është e cekët del përpara, ndërsa ajo që është e thellë mbetet pas.
Përvoja institucionale dhe kuadri i ri
Le të flas edhe nga përvoja konkrete. Gjatë gjashtë vjet e gjysmë si dekan i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, një nga prioritetet tona ishte përfshirja e studentëve më të mirë në procesin akademik. Sot, një pjesë e tyre vijojnë të jenë të angazhuar prej vitesh me kontrata të përkohshme dhe me status të pasqaruar.
Ndërkohë, në arsimin parauniversitar ekzistojnë mekanizma të qartë që garantojnë pagën dhe kontributet sociale edhe kur marrëdhënia e punës nuk është e përhershme. Një rregullim i tillë duhet të parashikohet shprehimisht edhe për arsimin sipëror. Ligji i ri duhet të përcaktojë qartë statusin, të drejtat dhe sigurinë profesionale të kuadrit të ri akademik. Pa këtë qartësi normative, sistemi universitar rrezikon të mbetet pa vazhdimësi institucionale dhe pa bazë të qëndrueshme zhvillimi.
Për në fund
Propozim-Ligji për Arsimin Sipëror është një hap i rëndësishëm. Por çdo reformë duhet të mbështetet në njohjen e natyrës së disiplinave dhe në respektimin e traditës institucionale.
Arsimi sipëror ka nevojë për standarde të qarta, por edhe për rregullim të drejtë dhe të zbatueshëm. Cilësia nuk sigurohet vetëm me kritere; ajo kërkon përgjegjësi ligjore, qartësi normative dhe vazhdimësi institucionale. Vetëm kështu reforma mund të jetë e qëndrueshme.
(Autori është profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës)