Policia “çmonton” për herë të dytë të njëjtin lokal në Gostivar ku një ditë më parë u gjet substanca narkotike, armë dhe municion!

Një aksion i vendosur i Policisë së Gostivarit ka dhënë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shpërndarjes së drogës në qytet, duke ndalur një vatër që përbënte rrezik serioz për të rinjtë dhe sigurinë publike.

Më 13.02.2026, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria A.R. (23), Z.A. (22) dhe N.S. (24), të gjithë nga Gostivari. Gjatë kontrollit në objektin hotelier në rrugën “Goce Dellçev”:
•te A.R. janë gjetur tetë paketime me substancë të dyshuar narkotike,
•te Z.A. është gjetur një paketim tjetër me substancë pluhur të bardhë.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për sasi të gatshme për shpërndarje, çka dëshmon se lokali ishte shndërruar në pikë të rrezikshme për qarkullim droge.

Kontroll në banesë – armë dhe 191 fishekë

Pas dokumentimit fillestar, me urdhër gjyqësor, është kryer kontroll në shtëpinë e A.R., ku janë gjetur dhe sekuestruar:
pistoletë “Beretta” kalibër 22 mm,
•pushkë karabinë “Zastava” kalibër 8.57 mm,
•karikator,
•191 fishekë të kalibrave të ndryshëm, pa leje.

Policia thekson se kombinimi i drogës me armë përbën rrezik të jashtëzakonshëm për qytetarët.

Më 15.02.2026, nga ora 00:00 deri në 03:00, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë realizuar aksion të gjerë kontrolli në objektet hoteliere në rrugët:
• “Goce Dellçev”
• “Vëllezërit Gjinovski”

Në këtë aksion janë gjetur të mitur në lokale pas mesnate, të cilët janë dorëzuar prindërve, duke dëshmuar se operacioni kishte edhe qëllim preventiv dhe mbrojtës për të rinjtë.

Ky aksion i përsëritur në të njëjtin lokal tregon se policia nuk ndalet, nuk paralajmëron dhe nuk toleron rikthimin e veprimtarive të paligjshme.