Një mospajtim i hapur është shfaqur brenda koalicionit qeveritar mes përfaqësuesve të VLEN dhe ZNAM lidhur me gjuhën në të cilën duhet të zhvillohet Provimi i Jurisprudencës, pas kërkesës së studentëve shqiptarë që ai të mund të jepet edhe në shqip.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, deklaroi se Ligji për Provimin e Jurisprudencës, në fuqi që nga janari i vitit 2020, përmban mangësi pasi nuk e përcakton qartë gjuhën e zhvillimit të provimit. Ai tha se kjo duhet të precizohet dhe se mbështet kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut që provimi të realizohet edhe në gjuhën shqipe.
Sipas Salit, Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve garantojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe për komunitetet që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë dhe, siç theksoi ai, kjo e drejtë duhet të vlejë edhe për provimin e jurisprudencës.
“Qëndrimi i VLEN-it është i qartë — jemi pro që kjo e drejtë t’u mundësohet studentëve”, deklaroi Sali.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Igor Filkov nga radhët e ZNAM, kundërshton këtë interpretim. Nga ministria thonë se provimi nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe, pasi shërben edhe si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, që është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike si gjyqtar, prokuror, avokat, noter dhe përmbarues.
Debati është intensifikuar pas peticionit të nënshkruar nga 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike — Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” — të cilët kërkojnë që provimi të jepet në gjuhën në të cilën i kanë përfunduar studimet. Peticioni u është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, kryetarit të Kuvendit dhe zëvendëskryeministrit të parë.
Nga Qeveria kanë konfirmuar se kërkesa është pranuar dhe do të shqyrtohet, por pa dhënë detaje për hapat e mëtejshëm. Edhe kryetari i Kuvendit e ka përcjellë nismën te Ministria e Drejtësisë.
Një propozim-ligj që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte përgatitur në vitin 2024, por u tërhoq nga procedura pas ndryshimit të përbërjes parlamentare dhe formimit të qeverisë së re.
Aktualisht, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ka dispozitë që e kufizon shprehimisht mbajtjen e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. Ndërkohë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parashikon që institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve, përfshirë edhe në procedurat para organeve shtetërore — pikë që po përdoret si argument nga mbështetësit e ndryshimit.(INA