Një 37-vjeçar me origjinë shqiptare do të ekstradohet nga Britania në Shqipëri pasi është dënuar për përdhunimin e një të miture në Bulqizë, ngjarje e ndodhur më 29 shkurt 2016.
Ministria e Drejtësisë ka fituar betejën ligjore në Royal Courts of Justice, duke siguruar dritën jeshile për ekstradimin e Denis Havaljas i cili kundërshtonte ekstradimin drejt Shqipërisë dhe vendimin e kishte çuar në apel.
37-vjeçari është dënuar në mungesë në vitin 2017 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat me 5 vite burg për përdhunimin e një vajze 13-vjeçare dhe vendimi është konfirmuar një vit më pas nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Matit, viktima kishte deklaruar se teksa po shkonte në shkollë, një automjet tip “Range Rover” ishte ndalur pranë saj dhe drejtuesi e kishte marrë me forcë brenda.
Për t’iu shmangur drejtësisë shqiptare, Havalja u largua drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku përdorte identitetin Dashamir Havalja. Sipas TCH, në vitin 2015 ai ishte dënuar me 18 muaj burg për shpërndarje droge dhe më pas ishte dëbuar nga vendi.
Ai ishte rikthyer sërish në Angli dhe më 13 prill 2023 është dënuar me 6 muaj burg për goditje ndaj një punonjësi të shërbimeve të emergjencës. Pas përfundimit të dënimit, u transferua në një qendër dëbimi, ku u konstatua se ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Më 6 dhjetor 2024, Westminster Magistrates’ Court miratoi ekstradimin e tij, por Havalja e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë.
Në apel, mbrojtja argumentoi se gjatë qëndrimit në burg në Mbretërinë e Bashkuar, që prej majit 2025, ai kishte ndjekur trajtim të rregullt për shëndetin mendor dhe ishte diagnostikuar me çrregullim të përzier ankthi dhe depresioni.
Gjykatësja Justice Eady rrëzoi apelin, duke vulosur përfundimisht ekstradimin e tij në Shqipëri.