“Pakënaqësitë e Fetait”, Sejdiu: Të gjithë duhet të pajtohemi me rezultatet tona në terren! Te Alternativa duhet të tejkalohen teket politike
Për pakënaqësitë e Arben Fetait në VLEN, Blerim Sejdiu në Click Plus tha se duhet të bëhet kompromis dhe mos të shprehen pakënaqësitë individuale, që siç tha, për faktin se mendon ndryshe nuk duhet të dëmtohet dhe bllokohet VLEN-i. Sejdiu tha se duhet parë secili gjendjen në terren dhe rezultatet.
“Të gjejë gjuhën e përbashkët, kompromisit dhe të pajtohemi ne me gjendjen siç e kemi situatën politike në terren dhe rezultatet tona. Në këtë drejtim mendoj se duhet të shkojë VLEN dhe të mendojë për tablon e madhe, atë që e don populli dhe jo të shprehim atë pakënaqësitë individuale dhe të bëjmë bllokime apo dëmtime të gjithë VLEN-it për arsye se unë mendoj ndryshe. Jo. Unë mendoj ndryshe dhe kam një kufizim se deri ku mund të shkojë ai mendim i imi dhe kur e shoh së bëjë dëmtim të VLEN-it duhet të ndaloj”, tha Sejdiu.
E për Alternativën, Sejdiu tha se do të gjejnë arsyen dhe rrugën për të tejkaluar teket politike dhe shtoi se “si herën e parë që gjetën rrugën për të qenë pjesë e VLEN-it, edhe kësaj herë do tejkalojnë veten dhe do të marrin vendimet më të mira”.