Osmani sërish do të kundërshtojë rritjen e çmimit të rrymës





Presidentja Vjosa Osmani do t’i drejtohet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike në vend, që do të shqyrtohen nga ky rregullator, e që potencialisht mund të hynë në fuqi në muajin prill të këtij viti.Tre kompanitë që merren me energjinë elektrike në Kosovë – KOSTT-i, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të hyrat e lejuara maksimale, duke kërkuar rritje të tyre – që përkthyer në përqindje- i bie se kanë kërkuar rreth 20% rritje të çmimit të rrymës në Kosovë.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka thënë për RTKLive se “qëndrimi i Presidencës do të mbetet i njëjtë, nëse ka ndryshime ose rritje të tarifave”.“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, ka thënë Kupina.
Kujtojmë se Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë organizuar nesër protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike e cila do të fillojë nesër në ora 13:00 para KEDS, e për ta përfunduar atë para Qeverisë së Kosovës.