Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve të drejtuara ndaj ambasadorit të Shqipërisë në vend, duke i cilësuar ato si të koordinuara dhe të nxitura nga përfaqësues shqiptarë brenda Qeverisë që, sipas tij, janë të afërt me kryeministrin Hristijan Mickoski, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Osmanit, reagimet ndaj ambasadorit nisën menjëherë pasi ai filloi të flasë hapur për, siç i quan ai, politikat antishqiptare të ekzekutivit aktual.
“Në momentin që ambasadori shqiptar filloi të flasë hapur për politikat antishqiptare të kësaj qeverie, nisi sulmi i koordinuar ndaj tij prej shqiptarëve të preferuar të Mickoskit në Qeveri. Të njëjtët njerëz që nuk panë asnjë problem kur pranuan Stoilkoviqin si zëvendëskryeministër, një figurë që është zgjatim i Beogradit dhe Banja Llukës, sot e kanë problem një ambasador shqiptar që nuk hesht”, shkruan Osmani
Dhe, shton më tej ai, e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që në skenën publike po zhvillohet poshtërimi i studentëve shqiptarë, përmes “leksioneve” që u mbajnë ministrat e ZNAM-it po atyre shqiptarëve në Qeveri.
Ai konsideron se këto veprime tregojnë një klimë të papërshtatshme politike dhe institucionale për shqiptarët, duke ngritur shqetësime për drejtimin që po merr diskursi publik dhe politik në vend.
Reagimi i nënkryetarit të BDI-së vjen pasi edhe dje, dy liderë të VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, “akuzuan” Tiranën zyrtare dhe ambasadorin Denion Meidani se po bëjnë politikë partiake ditore. Pasoi reagimi i ambasadorit, i cili u përgjigj se “ne nuk bëjmë politikë ditore, por shtetërore”. (koha.mk)